Depozitat në lekë po i kthehen rënies, efektet në tregun e bonove dhe në kursin e këmbimit

Depozitat në lekë po i kthehen rënies, efektet në tregun e bonove dhe në kursin e këmbimit

12:04, 30/04/2024
A+ Aa A-

Të dhënat e muajve të fundit tregojnë se likuiditeti në lekë në sektorin bankar po paraqitet përsëri në rënie.

Depozitat në lekë pësuan rënie për të dytin muaj radhazi në mars dhe zbritën në vlerën e 769.9 miliardë lekëve, në rënie me 3.4 miliardë lekë krahasuar me shkurtin.

Megjithatë, depozitat në lekë ngelen sidoqoftë në rritje vjetore, me afërsisht 7%. Megjithatë, ndryshe nga sa ka ndodhur me depozitat në euro, ato në lekë gjatë dy viteve të fundit kanë shfaqur një ecuri të paqëndrueshme gjatë vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo është kushtëzuar sidomos nga politika fiskale dhe suficiti i lartë buxhetor.

Suficiti rekord buxhetor gjatë vitit të kaluar solli shtrëngim të ndjeshëm likuiditetit në sektorin bankar. Deri në muajin dhjetor, mbështetja e sektorit bankar në instrumentet e likuiditetit të Bankës së Shqipërisë arriti nivele rekord.

Pas muajit nëntor, me ngushtimin e suficitit buxhetor dhe më tej me shpenzimin e plotë të deficitit në muajin dhjetor, gjendja e depozitave dhe likuiditetit në sektorin bankar u përmirësua ndjeshëm.

Por, duke filluar nga muaji shkurt, depozitat në lekë po bien përsëri duke ndjekur, me sa duket, ritmin e bilancit të qeverisë. Edhe ky vit ka nisur me suficite fiskale të larta. Në fund të tremujorit 2024, sufici buxhetor arriti vlerën rekord të e 33.4 miliardë lekëve, në rritje me 8.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Paralelisht, mbështetja e bankave në instrumentet e huamarrjes REPO të bankës qendrore u rrit me pothuajse 50% gjatë marsit dhe arriti vlerën e 31.5 miliardë lekëve.

Ecuria e likuiditetit në lekë ka ndikim të konsiderueshëm në tregues të rëndësishëm të tregut financiar dhe ekonomisë, siç janë yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë apo edhe në ecurinë e kursit të këmbimit.

Gjatë muajit mars, yield-et e titujve të qeverisë, veçanërisht të bonove 12-mujore kanë shënuar një rritje të lehtë, kryesisht për shkak të kërkesës së pamjaftueshme në ankande. Tkurrja e depozitave në lekë mund të jetë një nga faktorët.

Nga ana tjetër, duhet mbajtur në konsideratë që kredia në monedhën vendase po rritet me ritme të shpejta. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re në lekë pothuajse u dyfishua në tremujorin e parë të këtij viti. Rënia e depozitave dhe një zhvendosje e sasive më të mëdha të likuiditetit në kreditimin e sektorit privat ka dhënë një efekt, sado që të vogël, edhe në yield-et e titujve të qeverisë.

Tkurrja e ofertës së lekut në tregun financiar gjithashtu ka një efekt edhe në kursin e këmbimit Euro-Lek, që pas muajit mars po shfaq tendenca të reja në rënieje. Në pjesën më të madhe, kjo i detyrohet rritjes graduale të prurjeve valutore hyrëse. Por, një rol shtesë mund të ketë edhe rënia e ofertës monetare të lekut. /MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco