Lajmi i fundit

LIVE/ Belind Këlliçi dhe Ilda Zhulali konferencë për media nga selia PD

Rivlerësimi i pronës, kur nis procesi dhe sa do të paguajnë qytetarët! Nisma në Kuvend për tatim 3% të shtëpive

Rivlerësimi i pronës, kur nis procesi dhe sa do të paguajnë qytetarët! Nisma në Kuvend për tatim 3% të shtëpive

13:13, 20/05/2024
A+ Aa A-

Një nismë e PS-së ditët e fundit u jep mundësinë qytetarëve të kryejnë procesin e rivlerësimit me 3% tatim. Pjesë e këtij procesi do të jenë banesat që janë në proces legalizimi si dhe që disponojnë një kontratë sipërmarrjeje, por që jetojnë në pallate ende të palegalizuara.

Nisma e socialistëve synon të përfshijë të gjitha pasuritë e tjera të paluajtshme. Sipas relacionit ky proces mund të kryhet që nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në datën 31 Qershor 2025. Por sa do të paguajë qytetari me këtë normë rivlerësimi? “Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme, nga institucionet përkatëse ose nga Zyrat Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe këstin e vlerësimit të ekspertit”.

Sipas relacionit ky proces mund të kryhet që nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në datën 31 Qershor 2025. Po sa do të paguajë qytetari me këtë normë rivlerësimi? Një qytetar që ka blerë para pak vitesh një apartament me vlerë 135 mijë Euro dhe sot me çmimet e reja kërkon ta shesë 150 mijë euro, atëherë me tatimin në fuqi prej 15 për qindësh ai do të duhet të duhet të paguajë 2250 euro. Ndërkohë me tatim 3% që përcakton nisma e rivlerësimit ai do të paguajë vetëm 450 Euro. Rivlerësim të pronës, apartamentit, apo truallit nuk do të bëjnë vetëm qytetarët por edhe bizneset. Personat juridike për këtë rivlerësim paguajnë 3% te diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme. Për qëllime të zbatimit të këtij neni, personi juridik mban një kartelë të pasurisë së paluajtshme, ku evidenton vlerën përkatëse të pasurisë së paluajtshme që nga momenti i njohjes fillestare te aktivit dhe tatimin përkatës te paguar sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në pikën 4 të nenit 2 të projektligjit.

Ndërkohë në nenin 3 thuhet se subjekt i këtij ligji është edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme: të individëve, të cilët janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë sipas legjislacionit ne fuqi, si dhe të individëve, të cilët disponojnë kontrate sipërmarrje ose porosisë dhe qe janë ne proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë. Procedurat e rivlerësimit dhe pagesës për rastet e parashikuara në këtë nen përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Nëse ky projektligj do të miratohet, do të jetë i pesti proces në 13 vite. Procesi i fundit i rivlerësimit të pasurive nisi në vitin 2020 dhe mbaroi në gusht të 2022, dhe nga i cili përfituan 110 mijë familje në të gjithë vendin dhe u rivlerësuan 168.200 pasuri, dhe buxheti i shtetit përfitoi 12.7 miliardë lekë. Edhe rivlerësimi i fundit kishte normë tatimi 3%.

Miratimi i këtij projektligji parashikohet të ketë efekte të drejtpërdrejta në nxitjen dhe formalizimin me vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme. Ky proces ka rezultuar me interes të lartë për qytetarët në vitet e mëparshme. Nisma e deputetëve socialistë vjen një vit përpara zgjedhjeve elektorale parlamentare, ndërsa kjo çliron individët, por edhe kompanitë nga barra e tatim-fitimit me normën 15%, sipas udhëzimit të vendosur fundin e vitit të kaluar. Kur prona rivlerësohet, qytetarët që vendosin t’i shesin nuk paguajnë më tatim për diferencën mes çmimit të blerjes dhe shitjes. Shifrat nga Tatimet kanë treguar se me nismën e rivlerësimit të pasurisë, në shtet janë derdhur gjithnjë më shumë taksa. Kështu, nga 2020 deri në mesin e 2022-it që zgjati periudha e fundit e rivlerësimit, arkëtimet nga taksa e pronës u rritën nga 130% – 150%, për të rënë në 2023-shin me 23%.

PR0JEKTLIGJI “PER RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”

Neni 1

Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme për individët

1. Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në datën 31 qershor 2025 të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.

2. Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme, nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

3. Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe këstin e vlerësimit të ekspertit.

4. Zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përllogarisin: a) hazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës se pasqyruar në këtë ekspertim, që nuk mund të jetë më e vogël se çmimet minimale fiskale, dhe vlerës së pasurisë të këtij të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi; b) Tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.

5. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me çmimet minimale fiskale në fuqi, atëherë ky fakt shprehet në formularin që i bashkëlidhet aplikimit të tij për rivlerësim.

6. Në rastin e parashikuar në piken 5 të këtij neni, zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përllogarisin: a) Bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi; b) Tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.

7. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë, si vlerë regjistrimi, në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në rastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë.

8. Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 3% e bazës së tatueshme, që përcaktohet sipas pikave 4 dhe 6 të këtij neni.

9. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e pa1uajtshme, në zbatim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të herë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës, në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.

Neni 2

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme për personat juridikë

1. Personat juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të bëjnë brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive.

2. Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet sipas përcaktimeve të nenit 1 të këtij ligji.

3. Diferenca nga vlera kontabël, e regjistruar në pasqyrat financiare, me vlerën që rezulton nga rivlerësimi pasqyrohet në pasqyrat financiare të vitit 2024.

4. Personat juridike për këtë rivlerësim paguajnë 3% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme. Për qëllime të zbatimit të këtij neni, personi juridik mban një kartelë të pasurisë së paluajtshme, ku evidenton vlerën përkatëse të pasurisë së paluajtshme që nga momenti i njohjes fillestare të aktivit dhe tatimin përkatës të paguar sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 3

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme në proces legalizimi dhe regjistrimi. Subjekt i këtij ligji është edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme:

1. Të individëve, të cilët janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë sipas legjislacionit në fuqi.

2. Të individëve, të cilët disponojnë kontratë sipërmarrje ose porosisë dhe që janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë sipas legjislacionit në fuqi. Procedurat e rivlerësimit dhe pagesës për rastet e parashikuara në këtë nen përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. N

Neni 4

Aktet nënligjore Ngarkohet Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për nxjerrjen e udhëzimit të përbashkët për përcaktimin e procedurave për qëllime të zbatimit të nenit 2 të këtij ligji, si dhe përcaktimin e tarifës së kryerjes së këtij shërbimi nga ASHK-ja brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 5 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet deri në datën 31 qershor 2025./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco