Skandali me mikrokreditë, Sejko jep llogari më 21 maj në Komisionin e Ekonomisë

Skandali me mikrokreditë, Sejko jep llogari më 21 maj në Komisionin e Ekonomisë

12:25, 19/05/2024
A+ Aa A-

Më 21 maj Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko do të jetë i pranishëm në mbledhjen e komisionit të ekonomisë për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në lidhje me skandalin e Mikro Kredit Albania për mbledhjen e kredive të këqija nga institucionet financiare jo banka.

Në një intervistë për MCN, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Sorina Koti u shpreh se guvernatorit do i kërkohet llogari se përse nuk janë marrë masa edhe për normat e interesit, shqetësim i ngritur 1 vit më parë.

“Na shetëson ose që ngre pikëpyetje është më pas pjesa e hipotekimeve apo blerjeve të kredive të këqija nga kompania në fjalë dhe lidhjen që ka kjo kompani apo kompani të tjera të mikro-financës me përmbaruesit dhe me noterët. Deri ku shkon mbledhja e kredive të këqija, roli dhe pse Banka e Shqipërisë nuk ka ndërmarrë hapa mbrojtëse apo rregullatore për këtë treg që ne kemi ngritur disa herë shqetësimin. Madje ne vjet e kemi patur guvernatorin e Bankës së Shqipërisë në komision, çështja e mikro-kredive dhe mikro-financës është diskutuar enkas për shkak të normave të larta që ka ky sektor.” – tha deputetja e PD-së, Sorina Koti.

Ligjvënësja demokrate thotë se për këtë dëgjesë ka marrë edhe dakordësinë e deputetëve të mazhorancës, ndërkohë shtoi se hapi i radhës është hartimi i një ligji të dedikuar për sektorin e mikrokredisë.

“Duhen ndërmarrë masa një orë e më parë për ta stabilizuar dhe për ta futur në shina mikrokredinë, ashtu siç funksionon edhe në vendet e Bashkimit Europian. Ne na mungon legjislacioni për ta rregulluar këtë sektor, kështu që hapi i radhës është patjetër me urgjencë miratimi i një ligji për këtë sektor” – tha deputetja demokrate.

Skandali me kreditë e këqija që mbledh Mikro Kredit Albania përllogaritet se prek 100 mijë familje ndërsa dëmi konsiderohet mbi 100 milion euro.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco