Lëmshi tatimor

Lëmshi tatimor

07:33, 18/05/2024
A+ Aa A-

Nga cenimi i stabilitetit të sistemit tatimor, deri te pasiguria juridike dhe ekonomike që krijohet te bizneset, cilat janë efektet e ndryshimeve të shpeshta të tërësisë së sistemit tatimor, sipas Dhomave të Tregtisë dhe ekspertëve.

Nga viti 1998 deri më 2021 numërohen rreth 34 ndryshime në ligjin e mëparshëm “Për tatimin mbi të ardhurat”. Ndryshime të shpeshta ligjore ka pësuar edhe ligji “Për procedurat tatimore”.

Prej 2008-s, kur nisi zbatimin, ligji ka pësuar 20 ndryshime. Ndërsa ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat, para fillimit të zbatimit, ndryshoi dy herë me akt normativ.

Dhomat e Tregtisë, ekspertët dhe bizneset kanë ngritur disa herë shqetësimin se ndryshimet e shpeshta ligjore fiskale për tërësinë e sistemit tatimor apo ndaj ligjeve kryesore për tatimin e subjekteve dhe individëve, jo vetëm krijojnë pasiguri në klimën e biznesit, por shtojnë rrezikun e informalitetit.

Dhoma Amerikane e Tregtisë, në raportin “Axhenda e Investimeve”, jep një sërë rekomandimesh drejtuar Qeverisë dhe Parlamentit të Ri me synim ristrukturimin e sistemit tatimor për të nxitur ekonominë formale.

Dhoma ka vlerësuar se ekonomia e Shqipërisë ende ruan një nivel të konsiderueshëm informaliteti, sidomos në sektorin e bujqësisë, por edhe në sektorë të tjerë, ndërsa stabiliteti i sistemit fiskal minohet nga ndryshimet e shpeshta ligjore.

“Ndryshimet e shpeshta ‘ad hoc’ kanë minuar stabilitetin dhe transparencën e sistemit tatimor. Ndërsa fushatat kundër informalitetit mund të tregojnë disa rezultate në afat të shkurtër, ato rrallë sjellin përfitime afatgjata.

Ne rekomandojmë ristrukturimin e sistemit tatimor, për të nxitur formalizimin e bizneseve”, theksohet në strategji.

Sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Durrës, z. Artan Luku, ndërmarrja e ndryshimeve të shpeshta ligjore fiskale të pastudiuara ndikon negativisht te biznesi, pasi administratës tatimore nuk i lihet koha e domosdoshme për t’i zbatuar.

“Bëhen ndryshime ligjore të shpeshta, shpeshherë të pamenduara mirë, politika fiskale që nuk janë studiuar mirë për ndikimin që do të sjellin në ekonominë e vendit në përgjithësi.

Mungojnë analizat e thelluara të efekteve që mund të kenë ndryshimet fiskale në biznese, në ekonominë e vendit jo vetëm në vitin që bëhen ndryshimet, por dhe për vitet në vijim.

Në shumë raste, as vetë administrata tatimore nuk është e përgatitur për këto ndryshime, pasi çdo herë duhet të ndryshojë sistemi, gjë që është kosto e shtuar, janë punonjës të rinj të shtuar apo të trajnuar rishtazi. S’ka strategji afatgjata, çdo vit ndodh një ndryshim.

Jemi i vetmi vend në botë në të cilin ligjet tatimore ndryshojnë çdo vit”, nënvizon ai.

Z. Luku thotë se ndryshimet e shpeshta ligjore janë një nga dobësitë thelbësore që kanë karakterizuar sistemin fiskal gjatë 10 viteve të “Ndryshimet e shpeshta sjellin pasiguri juridike, vështirësi në planifikimin ekonomik të shoqërive tregtare, si dhe shkaktojnë paqartësi në zbatimin e ligjit”, thotë ai.

Artan Luku, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Durrës
“Ndryshimet e shpeshta sjellin pasiguri juridike, vështirësi në planifikimin ekonomik të shoqërive tregtare, si dhe shkaktojnë paqartësi në zbatimin e ligjit”

Ndryshimet e shpeshta fiskale nuk sjellin asgjë të mirë edhe sipas audituesit ligjor, Artur Papajani. “Ato zbehin sigurinë juridike të investitorëve, çorodisin dhe rrisin kostot administrative e logjistike të tatimpaguesve dhe vështirësojnë edhe më shumë punën e administratës tatimore.

Kjo pyetje, ka të paktën njëzet vjet që bëhet, merr rregullisht të njëjtën përgjigje dhe do të vazhdojë të bëhet e do të marrë po atë përgjigje, të paktën deri kur të ketë hyrë në fuqi, Kodi Tatimor i Republikës së Shqipërisë”, pohon ai.

Ekspertët e ligjeve fiskale vlerësojnë se, edhe kur ka ekzistuar qëllimi për qasje pozitive për ndryshimet e dy prej ligjeve kryesore fiskale, të kryera ndër vite, në disa raste ka rezultuar se zbatimi i tyre nuk ishte korrekt.

“Përveç ndryshimeve me paketa fiskale të çdo viti që nga 1998, periudhë në të cilën u votua për herë të parë ligji, është prekur me ndryshime mbi 30 herë. Ndryshimet që i janë bërë ligjit të procedurave gjithashtu janë ‘masakër’.

Mendoj se edhe kur ekziston qëllimi për të bërë ligje të reja dhe të përmirësuara, përsëri implementimi i tyre procedural pati një qasje negative”, konstaton një nga ekspertët e ligjeve fiskale.

 

Artur Papajani, auditues ligjor
“Ndryshimet e shpeshta fiskale nuk sjellin asgjë të mirë. Ato zbehin sigurinë juridike të investitorëve, çorodisin dhe rrisin kostot administrative e logjistike të tatimpaguesve dhe vështirësojnë edhe më shumë punën e administratës tatimore”.

 

 

Kur vetë financat orientojnë gabim

Paqartësitë dhe gabimet për llogaritjen e parapagimit të tatimit vijojnë të shoqërojnë zbatimin e ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat që nisi zbatimin nga 1 janari 2024 me 29 mijë të punësuar si profesionistë të lirë.

Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë është pranuar që është bërë gabim me llogaritjen e tatimit, pasi nga shpenzimet e deklaruara nuk është zbritur paga minimale.

“I vetmi element që nuk kemi mundur ta zbresim është paga minimale, që do t’ia njohim si shpenzim edhe biznesit të vogël. Efekti është shumë i vogël, por të gjithëve mund t’u korrigjohet ky gabim njerëzor apo pamundësi për të zbritur pagën minimale nga shpenzimet që kanë deklaruar”, pohoi për televizionin “ABC News” drejtori i përgjithshëm i politikave fiskale në MFE z. Niko Lera.

Në muajin janar 2024, me hyrjen në fuqi të ligjit, kur Ministria e Financave dhe Ekonomisë qartësoi për herë të parë llogaritjen e tatimit te profesionet, tha se për fashën e parë të bizneseve me të ardhura vjetore deri në 14,000,000 lekë në vit, tatimi 15% do të llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale ndaj totalit të të ardhurave vjetore.

“Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 1,000,000 lekë – 30% shpenzime – 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 660,000 lekë fitim të deklaruar në vit.

Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total, detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 1,000,000 lekë është 99,000 lekë” u shpjegua nëpërmjet shembullit të dhënë nga Ministria e Financave për “Monitor”.

Me ligjin e ri, fitimi neto i bizneseve taksohet në normat 15 dhe 23%, i llogaritur nga diferenca e të ardhurave vjetore me shpenzimet. Llogaritjet e administratës tatimore për 9 këstet e parapagimet u mbështetën mbi deklarimet e bizneseve për të ardhurat dhe shpenzimet e vitit 2023. Ligji përfshiu për herë të parë njohjen e shpenzimeve apriori. Për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit me xhiro 10 milionë në vit, te profesionet e lira njohja e shpenzimeve apriori ishte në masën 30%.

Nga zbatimi i ligjit rezultoi se biznesit nuk iu dha mundësia të zgjedhë regjimin e veçantë për njohjen e shpenzimeve apriori, të parashikuara në ligj, që në vitin e parë të zbatimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale, Niko Lera, shpjegoi se bizneseve u janë njohur vetëm shpenzimet e deklaruara. “Nëse një profesionist i lirë ka deklaruar për vitin 2023, 100 lekë të ardhura, 45 lekë shpenzime dhe 55 lekë fitim, tatimi i është llogaritur për 55 lekë fitim, atëherë çfarë 30% tjetër të shpenzimeve pretendohet të pasqyrohet?

Të dublojmë shpenzimet? Nuk ndodh! Pra kjo nuk qëndron. Por çdo i vetëpunësuar ka të drejtën t’i drejtohet administratës tatimore, sepse ligji i miratuar përpara 30 vitesh përcakton që tatimpaguesi në çdo kohë ka të drejtë të kërkojë uljen e parapagimeve nëse e justifikon.

Pra t’i drejtohet administratës e cila është e detyruar të zbatojë ligjin, të ulin parapagimet nëse ka gabime materiale dhe njerëzore, që të mos ketë pretendime deri qesharake, kur është deklaruar fitimi neto dhe pretendohet të zbritet edhe një herë dyfish shpenzimi. Kjo nuk është logjike”, pohon z. Lera.

Ekonomistët pohuan se ishin të informuar që zbritja e shpenzimeve fikse, që nuk mund të deklarohej nëpërmjet formularëve të vjetër të deklarimit, për shkak të pamundësisë nga modeli, do të zbatohej si zbritje nga administrata tatimore.

Pas llogaritjeve të kësteve të parapagimit të tatimit nga administrata tatimore është sqaruar se shpenzimet apriori prej 30% do të zbatohen, pasi të përzgjidhen si opsion nga bizneset, për deklarimet e fitimit të vitit 2024, që kryhen më 31 mars 2025..MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco