Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët protestojnë përpara parlamentit, policia blindon godinën

Debat në Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit për rritjen e akcizës së birrës - Vendimi më 28 maj

Debat në Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit për rritjen e akcizës së birrës - Vendimi më 28 maj

07:53, 17/05/2024
A+ Aa A-

Në Gjykatën Kushtetuese është zhvilluar seanca për ankesën e Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase, për shfuqizimin të pjesshëm të ligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”.

Prej 1 janarit 2023 ka hyrë në fuqi unifikimi i akcizës prej 710 lekë/Hl për prodhuesit e birrës dhe pijeve alkoolike vendase dhe të huaja. Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë.

Avokati Sajmir Laçej përfaqësues i palës ankimuese, duke u ndalur në objektin e kërkesës tha se ndryshimet ligjore rrisin 100% nivelin e akcizës te prodhuesit vendas. Laçej tha se politika e mëparshme fiskale ishte një politikë e konsoliduar në mbështetje të prodhuesve vendas, sipas modelit të bashkimit europian. Laçej argumentoi se ndryshimet ligjore jo vetëm diskriminojnë prodhuesit vendas, por edhe cenojnë parimin e sigurisë juridike.

“Pyetja e parë që bëhet natyrshëm është: A jemi ishim përpara një mase të përkohshme, apo përpara një politike të konsoliduar taksimi? Ishim përpara një politike të konsoliduar taksimi e mbështetur te transpozimi i direktivës së BE-së. Një politikë që prej më shumë se 30 vitesh aplikohet në të gjitha vendet e BE-së. Edhe Shqipëria që prej 2012 ka përafruar legjislacionin e akcizës me direktivën që diferencon dhe trajton në mënyrë të barabartë prodhuesit me sasi të vogël prodhimi nën 200 mijë Hl dhe prodhuesit mbi 200 mijë HL.

Në pamje të parë duket sikur 200 mijë HL është një vlerë e konsiderueshme. Duhet të krahasohet në nivel global, birra është një produkt që një markë e caktuar tregtohet në të gjithë botën në të njëjtën kohë, në sasi marramendëse dhe një prodhues i vogël në një zonë gjeografike të caktuar e ka të pamundur të konkurrojë një prodhues të madh, qoftë për sa i përket kostove të lëndëve të para dhe marketimit. Për këtë arsye për të mënjanuar dëmet e konkurrencës dhe të zhdukjes nga tregu që mund t’i sillte qoftë birrave tradicionale në tregun e BE-së qoftë në Shqipëri u adaptua kjo politikë, e cila mbron prodhuesit e vegjël nga ekonomia e shkallës.

Nuk kemi të bëjmë me një politikë të përkohshme, por një politikë të konsoliduar. Edhe në Shqipëri kaluan 10 vite, nga viti 2012 ku nëpërmjet projektit IPA u shpenzuan 10 mln USD për të përafruar legjislacionin e akcizës”.

Referuar edhe marrëveshjes së MSA-së, Laçej theksoi se ndryshimet në ligjin e akcizës e kthejnë Shqipërinë 10 vite para, pasi shkelet parimi i diskriminimit për prodhuesit dhe eksportuesit me kapacitet 200 mijë Hl në vit.

Ai tha se për 2023 për shkak të ndryshimit të taksimit është ulur pesha e prodhimit vendas krahasuar me birrat e importit.

“Nga 44% të peshës së totalit që zinte në vitin 2022, në vitin 2023 prodhimi vendas zë 39% të peshës së totalit të konsumit. Kemi një rënie të konsiderueshme prej 5%. Trendi rënës ka vijuar edhe vitin korent. Në 4 mujorin e parë pesha e birrës ka rënë 7%. Me këto ritme do të jemi shumë “të lumtur” pasi do të konsumojmë vetëm produkte importi. Tradita e prodhimit të birrës më të cilët krenohemi si në agroturizëm dhe turizëm nuk do të jetë më.

Është dëmtuar edhe konsumatori gjithashtu. Birra e vendit për nga çmimi ka qenë më e përballueshme për konsumatorin me të ardhura të ulëta. Aktualisht janë të detyruar të përballen me çmime të larta për shkak të rritjes së akcizës”, pohoi ai.

Përfaqësuesi i ministrisë së Financave dhe Ekonomisë Niko Lera tha se ndryshimet për unifikimin e akcizës adresojnë problemet me informalitetin te prodhuesit vendas dhe te importuesit nga rajoni.

Ai tha se të paktën 4-5 tatimpagues të mëdhenj të birrës, që hyjnë te bizneset VIP, janë trajtuar për një periudhë 12 vjeçare bazuar në një direktivë të BE-së, e cila lejon, por nuk detyron që prodhuesit e vegjël lokalë, të mund të kenë një tarifë të reduktuar krahasuar me impiantet e tjera të industrisë prodhuese.

“Në vitin 2012 kur u hartua ligji i akcizës, që bazuar në rekomandimet e direktivës së BE-së u përcaktua të aplikohej diferencimi i shkallës së akcizës së diferencuar, ishte një masë mbështetëse për prodhuesit vendas, sepse të gjithë konsideroheshin nën këtë limit.

Kjo masë do të duhej të shërbente për rritjen e prodhuesve vendas dhe për kalimin nga një operator me sasi të vogla prodhimi në një operator me sasi të madhe prodhimi. Në periudhën 2012-2022 vërehet se askush prej tyre nuk tejkaloi këto pritshmëri, sikurse i ka direktiva, edhe pse ishin marka të mëdha në treg dhe dolën edhe në eksport. Nuk u vërtetua te prodhuesit arsyeja e zbatimit të kësaj mase.

Së dyti, tarifa e diferencuar e akcizës, krijoi precedent në prodhim. Operatorët synonin të mos kalonin pragun e prodhimit prej 200 mijë hl që të përfitonin tarifën e përgjysmuar. Ndërsa në rastin më të keq nën deklaronin ose nuk deklaronin pjesën e prodhimit mbi 200 mijë Hl. Kjo tregoi që një vendimi i logjikshëm, siç ishte ai që u mor në 2012 për rritjen e prodhuesve nuk arriti të përmbushte objektivin e synuar.

Theksojmë se tarifën e përgjysmuar nuk e përfitonin vetëm prodhuesit vendas, por edhe atë të huaj. Nëse në 2022 në vend janë konsumuar 100 mln litra birrë, nga të cilat 50 mln litra vendi me tarifë të përgjysmuar dhe 50 mln litra birrë e huaj me 70% e prodhuar me tarifë 710 lekë dhe 30% me tarifë të reduktuar.

Tashmë kësaj tarifë të unifikuar do t’i nënshtrohen edhe kjo 30% brenda 100% të birrës së importit që kishin krijuar probleme të mëdha me administrimin doganor, pasi ishte shumë e vështirë të verifikohet administrativisht që një fabrikë e vogël në Çeki apo Malta ishte prodhues nën 200 mijë Hl. Edhe importuesit po abuzonin me tarifën e diferencuar.

Pra për t’i kapërcyer problemet me prodhuesit, abuzimet nga importuesit u mor vendimi për unifikimin e saj. Nuk gjykojmë që ky ndryshim ndikon te prodhuesit deri te mbyllja e tyre”, tha ai.

I pyetur nga anëtarët e trupës gjykuese, Lera tha se unifikimi i akcizës nuk është barrë e rënduar për prodhuesit vendas.

“Niveli akcizës që aplikohet nuk është mbytës. Në shumë raste është nën nivelin e TVSH, që tatohet çdo mall dhe shërbim në vend. Rritja e turizmit do të bëjë që prodhimi i vendit të rrite.

Nuk shoh risk dështimi, sepse të marrësh një birrë vendi me çmim 100 lekë dhe për hir të vërtetës fluksi i turistëve në Shqipëri që nuk janë high class, por turistë me çanta në kurriz, që nuk mund të konsumojnë birrën me 3 fish të çmimit, por sigurisht do të preferojnë birrën vendase dhe të rajonit”.

Nga 1 janari 2023, sektorët prodhues më të prekur nga rritja e akcizës ata të birrës dhe të pijeve të forta alkoolike kanë ngritur shqetësimin për rritjen e kostove dhe për pasojë janë detyruar të ulin prodhimin dhe të rrisin çmimet deri 20%. Njëzëri prodhuesit vendas ngritën disa herë shqetësimin se dyfishimi i akcizës jo vetëm do të rriste peshën e birrës së importit në treg, por do të çonte drejt falimentimit industrinë vendas.

Nga ana tjetër në treg vijon të zgjerohet pesha e birrës vendase. Sipas të dhënave të Doganave për muajt janar-mars birra e importit zuri 59% të tregut. /D.Azo/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco