FMN sugjeron aplikimin e shtesës kundërciklike të kapitalit për bankat

FMN sugjeron aplikimin e shtesës kundërciklike të kapitalit për bankat

10:48, 15/01/2024
A+ Aa A-

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i sugjeron Bankës së Shqipërisë vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar.

Në deklaratën e fundit të Bordit Ekzekutiv për Shqipërinë, thuhet se vendosja e një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare mund të merret në konsideratë në afatin e mesëm, për të forcuar më tej stabilitetin financiar.

Rregullorja “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”, e miratuar nga Banka e Shqipërisë në vitin 2019, parashikon, mes të tjerash, edhe aplikimin e mundshëm të një shtese kundërciklike, si instrument për të frenuar një rritje tepër të shpejtë të kreditimit për ekonominë.

Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk ka aplikuar shtesë kundërciklike kapitali dhe kjo u konfirmua edhe në vendimin e fundit të Guvernatorit, të datës 27 dhjetor 2023.

Vendimi për apiklimin e një shtese të tillë merret nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë me frekuencë tremujore, mbështetur në analizën e devijimit të raportit të kredisë ndaj PBB-së ndaj mesatares afatgjatë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e tretë 2023 hendeku i raportit të kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ishte -8.12 pikë përqindje nga -8.67 pikë përqindje pikë përqindje që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.

Sipas rregullores, kriteri bazë për aplikimin e një shtese kundërciklike do të ishte devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë me më shumë se dy pikë përqindje. Niveli aktual prej -8.12% është ende shumë larg këtij pragu.

Megjithatë, si plotësues të këtij treguesi parësor në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, shërbejnë disa elementë të tjerë, të grupuar tek treguesi i paralajmërimit të hershëm dhe që sinjalizojnë zhvillimet në kreditim dhe në aktivet jofinanciare, konkretisht tregun e pasurive të paluajtshme. Këtu përfshihen rritja vjetore e kredisë bankare, ndryshimi vjetor i kredisë bankare për pasuri të paluajtshme, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave dhe ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave ndaj vlerës së qirasë. Këta tregues përmblidhen në indeksin e Treguesit të Paralajmërimit të Hershëm (TPHP). Në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023, vlera e indeksit TPHP rezultoi 0.51, në rritje prej vlerës së tremujorit pararendës (0.49) dhe lehtësisht sipër vlerës së pragut krahasues (0.5).

Ecuria e nëntreguesve të kredisë për pasuri të paluajtshme dhe të indeksit të cmimit të banesave, të cilët priren të përforcojnë ecurinë e njëri-tjetrit, monitorohet ngushtësisht. Qëllimi është që, duke përdorur edhe informacionet që lidhen me ngarkesën me borxh të familjeve, të identifikohen dhe parandalohen situatat në të cilat ecuria e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme është e paqëndrueshme.

Sugjerimet për aplikimin e një norme kundërciklike nga FMN duket se mbështeten pikërisht tek treguesit e paralajmërimit të hershëm dhe kryesisht tek zhvillimet në tregun e pasurive të palaujtshme dhe të kredisë së dhënë nga bankat për financimin e blerjes së tyre.

Kërkesat minimale për kapital, në rritje të shpejtë

Që prej fillimit të këtij viti, bankat tregtare duhet të plotësojnë një rritje të mëtejshme të kërkesave minimale të mjaftueshmërisë së kapitalit që prej fillimit të vitit të ardhshëm. Shtesa konservuese e kapitalit që prej datës 1 janar 2024 është rritur në 2.5%, nga 2% që ishte detyrimi për tu përmbushur gjatë vitit 2023.

Shtesat markoprudenciale të kapitalit i shtohen kërkesave rregullatore bazë të kapitalizimit të bankave, që përcaktohen në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”. Nga 12% që është kufiri minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 2.5% ky kufi ka arritur në 14.5%. Rritja e 1 janarit 2024 është rritja e fundit në ciklin e rritjes graduale pesëvjeçare të shtesës konservuese të kapitalit.

Ndërkohë, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike. Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka OTP Albania. Aktualisht, BKT ka një kërkesë shtesë në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit prej 1.5%, që bashkë me shtesën konservuese prej 2.5% e çon raportin total të mjaftueshmërisë së kapitalit në 16%, Credins dhe Raiffeisen janë të detyruara të plotësojnë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit 1% më të lartë se bankat e tjera (në total 15.5%), ndërsa OTP 0.5% më shumë se bankat e tjera (në total 15%).

Gjithashtu, bankat me rëndësi sistemike që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e parë të kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL). Këto banka duhet të përmbushin një shtesë prej 1.5% në raportin e përgjithshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit. Kjo e çon kërkesën minimale të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit nga niveli 16.5% deri në 17.5% për pesë bankat në fjalë. Për të përmbushur kërkesat e reja, disa prej këtyre bankave do të përdorin instrumente të huamarrjes që njihen si pjesë e kapitalit rregullator.

Shtesat e njëpasnjëshme të kërkesave minimale për kapital kanë ngjallur pakënaqësi të hapur nga bankat, që i vlerëson kërkesat shtesë për kapital të tepruara dhe barrë shtesë për aktivitetin e bankave tregtare. Bankat argumentojnë se Bashkimi Europian i aplikon shtesat makroprudenciale sipër një niveli bazë të Raportit të Mjaftueshmërisë së Kapitalit prej 8%, ndërsa Shqipëria ka një nivel bazë 50% më të lartë, në 12%.

Vitin e kaluar, Shoqata Shqiptare e Bankave iu drejtua me një letër bankës qendrore ku kërkonte marrjen në konsideratë të shtyrjes së hyrjes në fuqi të shtesave të lidhura me MREL. Megjithatë, Banka e Shqipërisë e ka refuzuar këtë kërkesë dhe ngelet e palëvizur në pozicionin e saj.

Në fund të tremujorit të tretë 2023, kapitalizimi i sektorit bankar arriti nivelin më të lartë historik. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 19.63%, nga 19.3% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. /MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco