Bujqësia dhe blegtoria në rënie edhe në 2024: Flasin profesionistët

Bujqësia dhe blegtoria në rënie edhe në 2024: Flasin profesionistët

07:21, 14/01/2024
A+ Aa A-

Fermerët, blegtorët, eksportuesit dhe ekspertët e bujqësisë nuk janë optimistë për vitin 2024. Kostot e larta, braktisja e fshatit, ulja e mbështetjes buxhetore do të vijojë të thellojë rënien në blegtori dhe prodhimin e fushës. Serrat, më optimiste

Në sfond të potencialit të lartë për rritje, sektori i bujqësisë do të përballet me vështirësi në vitin 2024, teksa në 9-mujorin 2023, prodhimi ishte në rënie, sipas të dhënave zyrtare.

Prodhimi bujqësor parashikohet të jetë me ulje ose të qëndrojë në vendnumëro në vitin 2024.

Fermerët që kultivojnë në serra janë më optimistë dhe më të motivuar, për shkak të rritjes së kërkesës në eksport dhe çmimeve më të larta, ndërsa prodhimi në fushë mbetet i rrezikuar nga pakësimi i popullsisë rurale dhe ndryshimet klimatike, që janë shndërruar në një rrezik të madh.

Sektori i blegtorisë pritet të vijojë rënien në krerë edhe në vitin 2024, teksa eksportet janë të varura nga prodhimi i ulët dhe cilësia.

Serrat optimiste, prodhimi në fushë në rënie

“Ne jemi optimistë për vitin 2024, pasi këtë vit janë shtuar sipërfaqet e serrave që do të mbillen. Në vitin 2024 do të kemi më shumë prodhim. Kulturat që do të dominojnë janë domatja dhe kastraveci me gjemba, por nuk përjashtohen dhe shumëllojshmëritë e specit”, – tha Mariglen Ziu, i cili zotëron një serrë rreth 1 hektar në zonën e Samaticës në Berat.

Z. Ziu tha se, prodhimi në serra mbetet i rrezikuar nga luhatja e lartë që kanë çmimet e grumbullimit në pikun e prodhimit. Çmimet ndryshojnë orë pas ore duke u krijuar prodhuesve shumë shpesh humbje. Gjatë vitit 2023 (11-mujori) eksportet bujqësore në sasi qëndruan në vendnumëro.

Por mbjelljet e fushës nuk pritet të ndjekin të njëjtin trend. Nevion Telha, agronom, ekspert i bujqësisë në rajonin e Korçës thotë se ka interes për të rritur kultivimin në disa kultura si patatja, qepa, domatja, speci etj., për shkak të qëndrueshmërisë në çmimet e grumbullimit.

Por në zonën e Korçës, e cila ka një traditë të mirë në bujqësi dhe frutikulturë, mungesa e fuqisë punëtore në fshat po pengon zgjerimin e prodhimit. Këto mungesa kanë krijuar kostot te fermerët. “Të rinjtë e fshatrave po ikin në Gjermani për paga më të larta”, – tha z. Telha.

Prodhimi vendas ishte i pakët, teksa nga ana tjetër, kërkesa ishte më e lartë se zakonisht nga zgjerimi i eksporteve dhe turistët.

Çmimet e zarzavateve, kryesisht qepët dhe patatet, u rritën më shumë se 25% vitin e kaluar dhe aktualisht, një pjesë e nevojave në tregun vendas po mbulohen me import.

Mbjellja në fushë po shkon drejt konsolidimit, ku po falimentojnë fermat familjare, për shkak të emigracionit dhe plakjes së popullsisë.

Nga ana tjetër, po zgjerohen fermat e organizuara si biznese. Ilir Pilku, ekspert i sektorit të bujqësisë, thotë se buxheti për Ministrinë e Bujqësisë, për vitin 2024, në shumën e 14.1 miliardë lekë, nuk është premtues për një rritje të prodhimit bujqësor dhe eksporteve gjithashtu.

Ky buxhet nuk arrin të përmbushë kërkesat e këtij sektori në lidhje me: 1). Subvencionimin e të gjithë sektorëve të bujqësisë dhe mbulimin me buxhet shteti të boshllëkut nga mosaksesimi i fondeve IPARD-3;

2). Ngritjen apo rivitalizimin e sektorit blegtoral;

3) Financimin e investimeve që mitigojnë rrezikun klimatik;

4). Inovacionin dhe promovimin e të rinjve në bujqësi;

5). Rritjen e investimeve në kanale vaditëse dhe kulluese, etj.” – tha z. Pilku.

“Pranvera do të ketë rritje të vogël në eksporte vetëm për prodhimet e serrave, si domate, spec, kastravec. Kultivimi i bostanit do jetë problem, se vendet kryesore prodhuese po shtojnë sipërfaqet, kështu që dhe ne do ta shtojmë për shkak se pati kërkesa këtë vit në BE, dhe mund të kemi mbiprodhim”, thotë Alban Cakalli, fermer në zonën e Mamurrasit.

Blegtoria do të vijojë rënien

Sektori i blegtorisë do të vijojë rënien edhe në vitin 2024, edhe pse, çmimet e prodhimeve dhe mishit janë rritur dukshëm dhe kërkesa është e lartë. “Rënia do të vijë pasi gjithnjë e më pak ose aspak njerëz zgjedhin të merrem me fermat e kafshëve”, – thotë Gerta Loku, e cila zotëron një fermë me 200 krerë dhi të racës së vendit në zonën e Mirditës.

Blegtorët pohojnë se rënia do të jetë më e fortë për fermat e vogla familjare që po reduktohen prej rënies së popullsisë në fshat. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i bagëtive ka rënë me 20% gjatë 2021-2022 dhe pritet që të vijojë edhe në vitin 2024.

Ervin Resuli, i cili zotëron një fermë gjedhi dhe njëkohësisht është njohës i mirë i sektorit, tha se blegtoria po kalon një periudhë tepër të vështirë dhe kjo për shumë faktorë!

Së pari, mbështetja me fonde publike (subvencione) ka qenë ndër vite e vogël nga qeveritë, fatkeqësisht kjo vazhdon ende, shto këtu që gjatë 2024 do të kemi dhe mungesën e skemës mbështetëse të IPARD.

Së dyti, industria e përpunimit nuk jep një çmim për qumështin e fermerëve që ta bëjë sektorin e blegtorisë fitimprurës.

Gjatë 2023, çmimi nga fabrikat ishte në rënie dhe kjo ka sjellë humbje të interesit për mbarështimin e gjedhit për qumësht. Qumështi i lopës në fermë, nën 90 lekë të reja për litër, është mohim për ekzistencën e blegtorisë në Shqipëri.

Ai tha, se zhvillimet në vitin 2024, në sektorin e blegtorisë, do të jenë shumë në varësi të zbutjes së kostove, nëpërmjet skemës kombëtare që qeveria mund të vërë në dispozicion. Po ashtu, edhe industria e qumështit duhet të rrisë çmimin dhe të ulë normën e tyre të fitimit, që blegtoria të mbijetojë apo të mos kemi këtë trend në rënie.

Alban Çakalli, që në fermën e tij mban edhe kafshë, tha se blegtoria do të pësojë rënie, sidomos të imtat. “Delet dhe dhitë po shiten çdo ditë, shkak është kostoja e lartë dhe boshatisja e fshatrave nga faktorë të ndryshëm.

Te gjedhët po pakësohet numri, por po investojnë të raca më produktive.

Shkatërrimi i blegtorisë në tre vitet e fundit po jep rezultat të mirë te këta që kanë mbetur. Në krahasim me rajonin, nuk bëhemi dot konkurrues, dhe shpesh importi i mishit dhe bulmetit e sfidon prodhimin vendor, kjo gjë vjen si rezultat i mossubvencionimit të jonxhës, misrit, elbit, sojës etj.” – tha ai.

Bujqësia me rënie në 2023

Që nga fillimi i dekadës së kaluar, ritmet e rritjes së bujqësisë janë frenuar në mënyrë të vazhdueshme, por dy vitet e fundit, sektori më i madh i ekonomisë ka hyrë në trendin e rënies.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në tremujorin e tretë të këtij viti, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.4%. Kjo ishte rënia më e madhe që nga tremujori i katërt 2021 kur moti i keq dëmtoi prodhimin e sezonit.

Vitin e kaluar, bujqësia qëndroi në vendnumëro, teksa ekonomia e vendit u rrit me 4.86%. Këtë vit, pritshmëritë janë që PBB-ja e vendit të zgjerohet me rreth 3.7%, por për 9-mujorin, sektori paraqitet në rënie.

Pagat në bujqësi duket se do të vijojnë rritjen, të nxitura nga mungesa e theksuar e punonjësve në fshat. Aktualisht, një punonjës paguhet 2000-2500 lekë në ditë, nga 15 lekë që ishte paga në vitin 2021. Presionet për rritje do të jenë të pranishme edhe në 2024, por kjo do të cenojë të rrisë kostot për sektorin, pasi bujqësia është sektori më pak produktiv i ekonomisë.

Fshati është zbrazur nga emigracioni dhe lëvizjet e brendshme. Ministria e Bujqësisë pret të rrisë numrin e të punësuarve në këtë sektor në 568 000 të punësuar në vitin 2026, nga 565,954 vitin e kaluar. Shumica e të punësuarve në sektor janë pa pagë pasi vetën 80 mijë fermerë në të gjithë vendin paguajnë sigurime.

Vetëm Shqipëria spikat si një vend në rajon me nivel të ulët të mbështetjes për bujqësinë, e cila në të njëjtën kohë është sektori me peshën më të madhe në PBB-së me rreth 19% të saj.

Bujqësia në rënie në vitin 2024, nga mungesa e financimeve dhe rritja e kostove

Alban Çakalli*

Pranvera do të ketë rritje të vogël në eksporte vetëm për prodhimet e serrave, si domate, spec, kastravec. Kultivimi i bostanit do të jetë problem, se vendet kryesore prodhuese po shtojnë sipërfaqet, kështu që dhe ne do ta shtojmë për shkak se pati kërkesa këtë vit në BE, dhe mund të kemi mbiprodhim.

Qershia do të ketë të njëjtat problematika si çdo vit, në fillim del me çmim të shtrenjtë dhe pastaj do të ketë ulje drastike, shkak është se kemi kultivarë të hershëm që piqen në një kohë dhe nuk kemi shtrirje në kohë të prodhimit. Problem janë dhe kultivarët me fruta të vogla që nuk rezistojnë në treg dhe konkurrohen nga ato të importit.

Problem janë dhe kultivarët e mandarinave që nuk janë zëvendësuar me lloje më të mira si të vendeve të tjera, shpesh mandarina e importit konkurron me cilësi. Ulliri do të ketë vitin që do japë prodhim, por ende kemi një treg të vajit të pastabilizuar, ku grumbulluesit abuzojnë me çmimin e ulët.

Blegtoria do të pësojë rënie, sidomos të imtat, delet dhe dhitë, po shiten çdo ditë për shkak të kostos së lartë dhe boshatisjes së fshatrave nga faktorë të ndryshëm.

Te gjedhët po pakësohet numri, por po investojnë të raca më produktive. Shkatërrimi i blegtorisë në tre vitet e fundit po jep rezultat të mirë te këta që kanë mbetur. Në krahasim me rajonin, nuk bëhemi dot konkurrues, dhe shpesh importi i mishit dhe bulmetit e sfidon prodhimin vendor. Kjo gjë vjen si rezultat i mossubvencionimit të jonxhës, misrit, elbit, sojës etj.

Vreshtaria ka pësuar tkurrje të madhe, sidomos rrushi për verë. Rritja e kostove, mungesa e fuqisë punëtore, mungesa e mekanizimit, ka ndikuar në braktisjen e këtij sektori.

Arrorët janë braktisur se nuk janë efektive për shkak të kostos së lartë dhe prodhimit të ulët, problem mbetet mekanizimi. Këtë vit u mboll pak grurë në krahasim me vjet.

Shkak i përgjysmimit të sipërfaqes u bë Ministria e Bujqësisë që braktisi fermerët dhe la grurin e importit të hyjë me çmim më të ulët, sesa kishte koston gruri i vendit.

*Fermer

Politikat bujqësore nuk sigurojnë rritjen e sektorit më 2024

Image

Ilir Pilku*

Bujqësia gjatë vitit 2023 u përball me shumë sfida të vështira të cilat ndikuan në mosplotësimin e synimeve që lidhen me rritjen e prodhimit dhe të eksporteve gjithashtu

Gjatë periudhës janar-tetor 2023 u arrit një vlerë eksportesh bujqësore rreth 445 milionë euro, krahasuar me 395 milionë euro të realizuara gjatë vitit 2022.

Rritja prej rreth 12% ka ardhur si rezultat i eksportit të vajit të ullirit, një eksport jo më historik dhe i përsëritshëm.

Pavarësisht kërkesës së lartë nga tregjet europiane për produkte të freskëta stinore, kryesisht perimeve të serrave dhe ato në fushë të hapur, Shqipëria shënoi ulje të eksporteve të perimeve në serra. Edhe sektori i bimëve mjekësore shënoi ulje gjithashtu, duke humbur tregje potenciale.

Prodhimi vendas në disa sektorë rezultoi me rënie të ndjeshme prodhimi, kryesisht në prodhimin e mollëve (me rreth 60% rënie), rrushit (me 50% rënie), mandarina (me rreth 30% rënie) si dhe të arroreve. Kjo rënie ka ardhur si pasojë e faktorit klimatik (në pemët frutore) dhe sëmundje në masivet me arrore (kryesisht gështenja e Tropojës).

Buxheti për Ministrinë e Bujqësisë për vitin 2024, në shumën e 14.1 miliardë lekë, nuk është premtues për një rritje të prodhimit bujqësor dhe eksporteve gjithashtu. Ky buxhet nuk arrin të përmbushë kërkesat e këtij sektori në lidhje me:

1). Subvencionimin e të gjithë sektorëve të bujqësisë dhe mbulimin me buxhet shteti të boshllëkut nga mosaksesimi i fondeve IPARD-3;

2). Ngritjen apo rivatilizimin e sektorit blegtoral;

3) Financimin e investimeve që mitigojnë rrezikun klimatik;

4). Inovacionin dhe promovimin e të rinjve në bujqësi;

5). Rritjen e investimeve në kanale vaditëse dhe kulluese;

6). Ngritjen e strukturave dhe burimeve njerëzore për të plotësuar kërkesat e BE-së në lidhje me kapitujt 11 dhe 12, detyrat nga procesi i post-screening.

Shqipëria vazhdon të mos jetë strategjikisht dhe financiarisht e fokusuar në veprimtaritë prodhuese bujqësore me avantazhe konkurruese, për t’u bërë faktor i rëndësishëm në tregjet e eksporteve europiane.

*Ekspert për Bujqësinë

Ervin Resuli: Blegtoria, në varësi të mbështetjes buxhetore dhe çmimit të shitjes me 2024

Image

Ervin Resuli, i cili zotëron një fermë gjedhi dhe njëkohësisht është një njohës i mirë i sektorit, thotë se zhvillimet në vitin 2024, në sektorin e blegtorisë, do të jenë shumë në varësi të zbutjes së kostove, nëpërmjet skemës kombëtare që qeveria mund të vërë në dispozicion.

Edhe industria e qumështit duhet të rrisë çmimin dhe të ulë normën e tyre të fitimit që blegtoria të mbijetojë apo të mos kemi këtë trend në rënie.

Si i parashikoni zhvillimet në sektorin e blegtorisë në vitin 2024, si në numër krerësh dhe në rendiment?

Blegtoria po kalon një periudhë tepër të vështirë dhe kjo për shumë faktorë!

Së pari, mbështetja me fonde publike (subvencione) ka qenë ndër vite e vogël nga qeveritë, fatkeqësisht kjo vazhdon ende, shto këtu që gjatë 2024 do të kemi dhe mungesën e skemës mbështetëse të IPARD.

Së dyti, industria e përpunimit nuk jep një çmim për qumështin e fermerëve, që ta bëjë sektorin e blegtorisë fitimprurës. Gjatë 2023, çmimi nga fabrikat ishte në rënie dhe kjo ka sjellë humbje të interesit për mbarështimin e gjedhit për qumësht.

Qumështi i lopës në fermë, nën 90 lekë të reja për litër, është mohim për ekzistencën e blegtorisë në Shqipëri.

Gjithashtu, qumështi i deles në 200 lekë të reja për litër është shkatërrues për blegtorinë e imët dhe falimentim i sigurt për blegtorët.

Zhvillimet në vitin 2024, në sektorin e blegtorisë, do të jenë shumë në varësi të zbutjes së kostove, nëpërmjet skemës kombëtare që qeveria mund të vërë në dispozicion, po ashtu dhe industria e qumështit duhet të rrisë çmimin dhe të ulë normën e tyre të fitimit që blegtoria të mbijetojë apo të mos kemi këtë trend në rënie.

Si kanë ndikuar rritja e kostove të lëndëve të para në aktivitetin e prodhimit këtë vit dhe me çfarë vështirësish po përballet sektori i blegtorisë?

Në vitin 2023, sektori i blegtorisë u përball me rritje të kostove në të gjitha lëndët e para. Nga ana tjetër, qumështi ka pasur rënie të çmimit, që nuk i ka reflektuar të gjitha kostot.

Çmimi që jep industria e qumështit te blegtorët është për të ardhur keq, ndërkohë që është reflektuar disafish te konsumatori, pavarësisht se blegtorëve iu është ulur çmimi, konsumatori përsëri përballet me çmim të lartë.

Pra nuk kemi një rritje të drejtë nga të dyja anët, fermeri dhe konsumatorët. Stabilizimi i çmimit të qumështit dhe mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare do të jetë një nga mënyrat për të stabilizuar rënien e blegtorisë.

Çfarë modeli duhet të ndjekë qeveria jonë, në mënyrë që të nxisë sektorin dhe të sigurojë mbarëvajtje në të gjithë zinxhirin e blegtorisë?

Modeli për mbështetjen e blegtorisë që duhet të japë ministria apo qeveria është përfshirja me çdo kusht në skemat e IPARD, nxitja e baxhove të vogla, njësive të vogla të përpunimit që janë në fshat apo afër blegtorit.

Produktet dhe nënproduktet me 100% të qumështit nga baxhot artizanale do të kthejnë interesin te blegtorët për qumështin e tyre.

Të gjitha lëndët e huaja që hynë nga jashtë për industrinë e qumështit, përfshirë vajin e palmës, qumështin pluhur apo zëvendësuesin e tij, kremin e qumështit apo pluhurin e hirrës heqin interesin e fabrikave të qumështit nga qumështi i blegtorëve tanë.

Baxhot, e ardhmja e bulmetit shqiptar! Në Shqipëri blegtoria nuk mund të jetë e madhe, po ashtu dhe industria e qumështit, toka bujqësore e fragmentuar nuk e mundëson që fermat e lopëve të jenë +200 krerë, po ashtu dhe fabrikat nuk duhet të jenë të mëdha, ato duhet të përpunojnë qumështin e zonave blegtorale dhe të prodhojnë traditën dhe vlerat e zonave përkatëse.

E thënë ndryshe, të prodhojnë traditën dhe të shesin markën “Made in Albania”. Shqipëria nuk e konkurron dot botën me nënprodukte të qumështit, pasi s’ka qumësht.

Shqipëria nuk mund të çajë tregun botëror me vaj palme dhe zëvendësues të qumështit pluhur, por mundet me shije dhe aromë shqiptare dhe duke i dhënë vlerë qumështit të blegtorit do të rritet edhe blegtoria.

Loku: Fermat e kafshëve në vështirësi, nuk pritet përmirësim më 2024

Gerta Loku, e cila mbarështon një fermë me dhi të racës së vendit në natyrë në Rrëshen, thotë se, numri i krerëve po vjen në rënie, pasi gjithnjë e më shumë po ulet interesi i njerëzve ndaj blegtorisë.

Ajo tha se, çmimet e produkteve blegtorale dhe kërkesa ishin në rritje më 2023, por të ardhurat janë të pamjaftueshme për të mbuluar kostot.

Ajo bën tirrje për mbështetje ndaj sektorit, pasi pa fermerët nuk mund të ketë ushqim të shëndetshëm dhe turizëm të qëndrueshëm

Gerta Loku*

Aktualisht dhe ne si fermë kemi numrin më të vogël të krerëve që kemi pasur ndonjëherë. Duke qenë se jemi vetëm unë dhe im shoq që merremi me këtë aktivitet, shtimi i numrit të krerëve e bën të pamenaxhueshëm një numër krerësh më të madh.

Sot numërojmë më pak se 200 krerë dhi në fermë. Jo se nuk duam të angazhojmë apo punësojmë, por si në të gjitha fushat, kjo është një punë që pak ose aspak njerëz zgjedhin ta bëjnë. Këtë vit, 1 kg djathë nga qumështi i dhive rritur 100% në kullota malore, e kemi shitur 1200 lek/kg, po të njëjtin çmim ka pasur dhe mishi i kecit.

Çmimi i produkteve gjithsesi ka shkuar në përpjesëtim të drejtë me rritjen e kostove. Me gjithë tendencën në rritje të çmimit të produkteve blegtorale, ka një rënie drastike të numrit të krerëve të mbarështuar, konkretisht në Mirditë.

Dhe këtu hasim në një “non sens ekonomik”. Dhe pse një terren krejt i përshtatshëm për mbarështimin e dhisë së racës vendase, gjithmonë e më pak njerëz po merren me këtë aktivitet.

Çmimet nga një optikë e jashtme kanë një tendencë në rritje, por ama mundi, kostot dhe neglizhenca institucionale kundrejt këtij sektori e bën sektorin në fjalë aspak joshës për ta punuar, por jo për ta konsumuar.

Kërkesat për produktet e malit janë në rritje, nga viti në vit e ndiejmë kërkesën. Kjo ndodh pasi se ka një rënie të numrit të krerëve të mbarështuara, sidomos të bagëtive të rritura në regjim ekstensiv.

Një dukuri tjetër që ka prekur dhe ndikuar sektorin e të imtave, është dhe importi i mishit të qengjit dhe kecit nga jashtë, kohët e fundit. Importohet nga jashtë dhe shitet si mish vendas. Duhet të dimë si konsumatorë, që nuk ka cilësi mishi, por dhe bulmeti më të mirë, se prodhimi vendas.

E megjithatë sektori është në rënie. U bëmë dhe ne bajat duke kërkuar që ne të jemi partner me institucionet në hartimin e politikave mbështetëse. Jemi shumë larg në krahasim me gjithë rajonin në mbështetjen që u japim fermerëve.

E kur them mbështetje, nuk them vetëm mbështetjen monetare për kokë bagëti, që është më e ulëta, por dhe mbështetjen me mekanizim, konsultim, informim.

Fermeri shqiptar ka nevojë për mekanikë. Të gjitha punët në fermat e vogla rurale bëhen me dorë.

E kur them “fermer i vogël”, e kam me ata njerëz që mbajnë në këmbë ekonomitë rurale të një vendi, që synon të bëhet një superfuqi turistike në vitet e ardhshme. Nuk ka ushqim të shëndetshëm pa fermerët dhe absolutisht, as turizëm të qëndrueshëm./*Fermere në blegtori, Rrëshen/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco