FMN: Forcimi i lekut nuk shpjegohet plotësisht nga faktorët ekonomikë

FMN: Forcimi i lekut nuk shpjegohet plotësisht nga faktorët ekonomikë

19:52, 12/01/2024
A+ Aa A-

Fondi Monetar Ndërkombëtar pranoi për herë të parë zyrtarisht se forcimi i shpejtë i lekut gjatë vitit të kaluar nuk shpjegohet plotësisht nga faktorët ekonomikë.

“Mbiçmimi i shpejtë i lekut që nga viti i kaluar nuk shpjegohet plotësisht nga bazat ekonomike duke shtuar rrezikun e një kthimi të papritur,” deklaron FMN në raportin e fundit të vlerësimit për ekonominë shqiptarë.

Sipas ekspertëve të fondit kursi i këmbimit mes lekut dhe euros ka qenë brenda niveleve që sugjerohej nga faktorët ekonomikë deri në fund të vitit 2022. Por në 2023-shin, forcimi i monedhës kombëtare nuk shpjegohej më nga fuqia e ekonomisë shqiptare. Kjo situatë e pazakontë, sipas FMN, e detyroi Bankën e Shqipërisë që të ndërhynte me shpejtësi në treg.
“BSH bëri dy ndërhyrje të paplanifikuara gjatë verës për të qetësuar luhatjet dhe për të përjashtuar shfaqjen e kushteve të çrregullta të tregut,” thotë FMN.

Fondi nuk shpjegon se cilët janë faktorët përtej atyre ekonomikë, që çuan në forcimin e lekut me 11 për qind ndaj euros gjatë vitit të kaluar, por shqetësohet më shumë që kjo situatë mund të përmbyset, pra që leku të fillojë të zhvlerësohet për të shkuar në ekuilibrin që sugjerojnë faktorët ekonomikë. Kjo sipas FMN mund të sillte rreziqe për sistemin financiar të vendit.

Kjo është hera e parë që FMN pranon publikisht se kursi i këmbimit në ekonominë shqiptare është ndikuar nga shkaqe të tjera përtej atyre të ekonomisë së ligjshme. Më parë forcimi drastik i lekut ndaj euros është konsideruar nga ekspertët dhe opozita si një tregues i qartë i vërshimit të eurove që burojnë nga droga në ekonominë shqiptare. Këto parë po financojnë zgjerimin e pandalshëm të sektorit të ndërtimit duke rritur çmimet me ritme të shpejta.

Ndonëse nuk paralajmëron shprehimisht për rrezik në sektorin e ndërtimit, FMN shprehet e shqetësuar për mungesën e të dhënave në këtë sektor.

“Boshllëqet e të dhënave mbi pasuritë e paluajtshme dhe aktivitetet e ndërtimit pengojnë një vlerësim të plotë të lidhjeve të mundshme makrofinanciare. Mbikëqyrja e zgjeruar e pasurive të paluajtshme dhe ndikimi i sektorit të ndërtimit në stabilitetin financiar janë thelbësore,” thuhet në raport./KAPITALI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco