Siguria e furnizimit, Sekretariati: Shqipëria mirë tek energjia dobët me gazin dhe naftën

Siguria e furnizimit, Sekretariati: Shqipëria mirë tek energjia dobët me gazin dhe naftën

12:36, 12/12/2023
A+ Aa A-

Siguria energjetike e vendeve u bë kryefjalë e vitit të shkuar kur kriza e energjisë vuri nën presion bursat me çmime jashtëzakonisht të larta.

Lufta në Ukrainë, problemet me prodhimin nga eolikët si dhe disa kufizime në tregjet europiane për termocentralet bënë që kjo krizë të kishte përmasa të gjera edhe pse efektet janë zbutur në vitin 2023.

Por si paraqitet Shqipëria në terma të sigurisë energjetike këtë vit? Komuniteti i Energjisë publikoi këtë javë raportin vjetor të zbatimit për të gjitha vendet e rajonit dhe performuesi më i mirë është Serbia teksa Shqipëria ka avancuar në disa aspekte dhe në të tjera ka ende punë.

Sa i takon sigurisë energjetike ajo është vlerësuar në tre aspekte. Së pari siguria e furnizimit me energji që raporti e vlerëson me një përqindje 75 për qind.

“Direktiva 2005/89/KE është transpozuar. Megjithatë, rregullat e sigurisë së furnizimit të kërkuara nga Ligji për Sektorin e Energjisë Elektrike nuk janë adoptuar. Në dhjetor 2022, qeveria miratoi planin kombëtar të veprimit në përgjigje të krizës energjetike. Ky plan ka përcaktuar masat që janë ndërmarrë nga Qeveria nën gjendjen e jashtëzakonshme për furnizimin me energji elektrike, e zgjatur deri më 31 dhjetor 2023. Shqipëria nuk ka ofruar Deklaratat e Sigurisë së Furnizimit për Sekretariatin, siç kërkohet sipas nenit 29 të Traktatit” thuhet në dokument.

Gjithsesi vlerësohet se janë marrë disa masa edhe sa i takon sigurisë kibernetike në infrastrukturat kritike të lidhura me energjinë diçka që vlerësohet si pozitive.

Elementi i dytë që merret në analizë është siguria e furnizimit me gaz. Kjo vlerësohet me një përqindje prej 36 për qind të përmbushur teksa nënvizohet se rregulloret e emergjencës së së gazit janë në fuqi pas ndryshimeve të Ligjit për Gazin në 2021, i cili përfshin disa, por jo të gjitha dispozitat e Rregullores së Sigurisë së Furnizimit me Gaz (BE) 2017/1938.

Elementi i tretë është siguria e furnizimit me naftë ku përparimi i vendit është edhe më dobët me vetëm 28 për qind të realizimit të detyrimeve.

“Sistemi aktual i rezervës së naftës në emergjencë është i bazuar mbi legjislacionin e vitit 1999 (ndryshuar në 2004) dhe dekretet qeveritare të 2004 dhe 2007, ku detyrimi për mbajtjen e rezervës i është caktuar industrisë së naftës. Në vitin 2018, u hartua një ligj i ri. Projektligji “Për Themelimin, Mirëmbajtjen dhe Menaxhimi i Stoqeve Minimale të Sigurisë së Naftës bruto dhe produkteve të naftës nuk u miratuan gjatë periudhës raportuese. Si alternativë, tre projekt-rregullore dhe një vendim qeveritar u përgatit në vitin 2022 për të përmbushur detyrimet e Direktivës duke futur një sistem që do të ishte më në përputhje me modelin ekzistues të bazuar në industri” thuhet në dokumentin e Sekretariatit.

Sipas këtij të fundit procedurat aktuale të emergjencës nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e Direktivës.

“Sistemi i raportimit dhe metodologjia e llogaritjes nuk e bëjnë këtë në përputhje me Direktivën 2009/119/EC. Të dhënat raportohen pjesërisht. Nuk është arritur asnjë progres gjatë periudhës raportuese dhe kuadri ligjor i Shqipërisë mbetet i papajtueshëm” nënvizon dokumenti./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco