Rindërtimi pas tërmetit vrastar të 26 nëntorit, transparenca në arrati

Rindërtimi pas tërmetit vrastar të 26 nëntorit, transparenca në arrati

09:32, 27/11/2023
A+ Aa A-

MONITOR

Katër vite më parë, Shqipëria përjetoi një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore në historinë e saj. Tërmeti prej 6.4 ballësh i 26 nëntorit 2019 shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe fatkeqësisht, edhe humbje të jetëve në zonën qendrore, kryesisht në Durrës, Thumanë e Tiranë.

Përtej reagimit fillestar dhe dobësive që u konstatuan nga Emergjencat Civile, sfida më e madhe ishte rindërtimi. Dëmet u vlerësuan në rreth 1 miliard euro dhe banesa e pallate të tëra kishin nevojë për t’u ringritur nga fillimi.

Sot, kur kanë kaluar katër vjet nga tronditjet e mëdha të tokës, pjesa më e madhe e procesit të rindërtimit ka përfunduar, me përjashtim të Durrësit e Tiranës.

Disa modele pozitive u zhvilluan, si ndërtimi i lagjeve standarde në zonat e Krujës e Thumanës. Shumë individë morën dëmshpërblimet dhe i riparuan vetë shtëpitë apo apartamentet (pavarësisht se mungoi kontrolli për cilësinë e punimeve), teksa për shumë kohë u trajtuan me bonuset e qirasë. 

Problemi më i madh sot mbetet si efikasiteti i ndërhyrjes në zbutjen e pasojave të dëmeve, ashtu edhe transparenca e këtij procesi. Ministria e Financave deklaron zyrtarisht se, deri tani, shpenzimet faktike për rindërtimin janë 80 miliardë lekë.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm janë rialokuar dhe 12 miliardë lekë të tjera, duke e çuar shumën totale në 92 miliardë lekë. Në fakt, kjo është dhe e dhëna e vetme zyrtare.

“Monitor” tentoi që të bënte transparencë se si janë shpenzuar këto fonde, por ishte e pamundur. Publikisht nuk ka asnjë informacion të detajuar.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që ka marrë kompetencat e Ministrisë së Rindërtimit pas shkrirjes së kësaj të fundit, nuk ktheu një përgjigje.

Programi i rindërtimit është zhvilluar pa koordinim dhe kjo e bën të vështirë monitorimin. Disa njësi i bënë vetë tenderat, në disa të tjera u bënë nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FZHSH).

Bashkitë nuk japin informacion të plotë dhe kjo e bën të vështirë vlerësimin ku ishim e ku jemi nga viti në vit. Përdorimi i kodeve të ndryshme në raportim investimesh e bën të pamundur të gjurmosh se ku kanë shkuar fondet dhe të identifikohet produkti që është marrë. 

Durrësi dhe Tirana vijojnë edhe sot të mbeten kantiere të hapura. Bashkia e Durrësit ka dhënë informacion se deri ku ka arritur procesi: 331 persona kanë marrë apartament të ri, 996 pritet të hyjnë në zonën e Spitallës (ndonëse ka rezistencë për t’u zhvendosur nga banorët e qytetit), në Manzë ka përfunduar procesi që në mars 2022 për 226 apartamente.

12 pallate në Durrës, 7 pallate në njësinë administrative të Sukthit dhe 1 pallat në njësinë administrative Katund i Ri, do të rindërtohen në të njëjtin vend. Për Tiranën, e cila i ka kryer vetë procedurat, detajet janë më të pakta.

Bashkia e Tiranës ka në proces dy zona në ndërtim “5 Maji” (3500 apartamente) dhe “KombinArti” (rreth 3 mijë apartamente). Banorët nuk kanë hyrë ende në to, madje zona e “5 Majit” ka mbetur gërmadhë pas prishjes së shtëpive të banorëve ekzistues me argumentin se do të ndërtohej zona për të strehuar të dëmtuarit e tërmetit.

Bashkia e Tiranës ka përfunduar vetëm ndërtimet në njësitë administrative për rreth 500 shtëpi që janë dhënë në 2021-2022. Zvarritja ka rritur kostot e buxhetit për bonus qiraje, ndërsa ka krijuar probleme sociale, pasi në disa raste, bashkitë nuk kanë paguar fare bonus dhe disa muaj janë mbuluar vetë nga qytetarët.

Institucionet ndërkombëtare prej kohësh kanë ngritur shqetësimin për mungesën e informacionit. Në raportin e fundit të zgjerimit për Shqipërinë, Komisioni Europian tha se shpenzimet e rindërtimit pas tërmetit nuk kishin transparencë, pasi nuk u integruan në procedurat e rregullta të financave publike.

Që kur ndodhi ngjarja e tërmetit, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i ka kërkuar qeverisë shqiptare në të gjitha misionet që të bëjë transparente përdorimin e fondeve.

FMN gjithashtu nxiti Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe ente të tjera audituese të ushtronin inspektime mbi përdorimin e fondeve të tërmetit dhe t’i bënin më pas raportet transparente.

Albanian Institute of Science (AIS), një projekt i të dhënave të hapura që publikon informacion në kohë reale mbi tenderat, procedurat e fituesit e tyre, si dhe shpenzimet e thesarit nga buxheti i shtetit, konstaton se procedurat për kontraktim për veprat pjesë e programit të rindërtimit nuk janë transparente, ato janë bërë me procedurë të limituar (kufizuar, jo e hapur), ofertat janë pranuar dhe vlerësuar jashtë sistemit elektronik në tryezë biznesi dhe shteti.

Kjo për shkak të Ligjit që u zbatua për këtë Program, i cili ishte i veçantë vetëm për procedurat e rindërtimit, një konstatim ky edhe i Komisionit Europian.

Si rrjedhojë, rreziku për klientelizëm dhe korrupsion të jetë tepër i lartë, duke bërë të domosdoshme një transparencë për paratë e taksapaguesve të shpenzuara deri tani dhe fondeve të parashikuara për vitin e ardhshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco