Hetimet e SPAK godasin dhe konsumin e restoranteve: Klientët me para të pista kanë frikë të ekspozohen

Hetimet e SPAK godasin dhe konsumin e restoranteve: Klientët me para të pista kanë frikë të ekspozohen

07:58, 24/11/2023
A+ Aa A-

Hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për ish zyrtarë të lartë, por edhe eksponentë të botës së krimit, po ndikojnë edhe te rënia e konsumit të restoranteve.

Tashmë prej disa muajsh intensifikimi i hetimeve për një sërë dosjesh të krimit të organizuar, dhe korrupsionet të shoqëruara me prangosjen e shumë individëve ka stepur si të pasurit, por edhe pastruesit e parave për frekuentim në restorante dhe bare.

Për përfaqësuesin e Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj me përfundimin e valës së ardhjes së turistëve, konsumi në restorante dhe bare i është rikthyer tendencës rënëse.

Një sërë faktorësh sipas tij po ndikojnë te ulja e shpenzimeve për restorante, duke nisur që nga pasiguria për shpenzime te konsumatori familjar për shkak të vështirësive ekonomike dhe tendenca për kursime në prag festash, si dhe duke përfshirë “frikën” për t’u ekspozuar në restorante te individëve që zotërojnë para të pista, për shkak të hetimeve nga SPAK.

“Konsumi në bare dhe restorante është në rënie krahasuar me vjet.

Së pari, jemi përballë një krizë që konsumatorët ndihen të pasigurt për shpenzime.

Së dytë janë ditën e gjatë të pushimeve për festat kombëtare. Së treti, jemi edhe në prag të festave të fund vitit dhe konsumatori ka tendencën të kursejë për shpenzimet në bare dhe restorante.

Së katërti, ata që kanë para, si dhe ata që kanë para të pista nëpër duar, nuk dalin të shpenzojnë më, pasi nuk duan të vihen në evidencë. Konsumojnë larg vëmendjes së njerëzve, konsumojnë në shtëpi. Pra tashmë është fakt që të dyja krahët nuk po dalin më për dreka dhe darka në restorant, ose dalin pa rënë në sy të njerëzve. Të gjithë i ka kapur frika”, thotë Jahja.

Ai shton se tërheqja e kësaj kategorie po jep ndikim, për faktin se vlerësohet se ata zënë 10-15% të konsumit total në bare e restorante. “Kjo kategori shpenzon deri në 15 mijë lekë për person në restorante”.

Nga Shoqata e Bareve e Restoranteve shqetësimi për rënien e konsumit u ngrit edhe në fillim të këtij viti për shkak të pasigurisë së konsumatorit nga rritja e çmimeve për produktet e shportës ushqimore nga konflikti Rusi-Ukrainë. Sipas përfaqësuesve të shoqatës konsumi pati përmirësim në zgjedhjet vendore të 14 Majit dhe vijoi me rritje përgjatë muajve të verës nga turistët.

Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%. referuar të dhënave të INSTAT deri në 2019 në këtë sektor ishin të punësuar 45,000 persona. Numri i të punësuarve konsiderohet më i lartë, për shkak të informalitetit.

Sakaq hetimet e nisura nga SPAK nuk po trembin vetëm frekuentuesit e lokaleve dhe bareve, por edhe blerësit e apartamenteve në Tiranë.

Më herët edhe agjentët mobilierë të tregut të pasurive të paluajtshme pohuan për Monitor së hetimet po ndikojnë te rënia e kërkesës për blerje apartamentesh.

Përdorimi i skemave të pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme është hasur edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Gjatë 2022, ky institucion në raportin vjetor publikoi 8 tipologji skemash që janë dyshuar si forma të pastrimit të parave në vend. Shumica e tipologjive kishin në thelb investimet në pasuri të paluajtshme, ku nuk mungonin as dyshimet për përdorim të fondeve publike, transferta të dyshimta të lidhura edhe me grupe kriminale.

Edhe nga ekspertët e tregut shpeshherë është ngritur shqetësimi se çmimet e apartamenteve veçanërisht për objekte të veçanta si kullat që arrijnë deri në 5,000 euro për metër katror, janë shumë herë më të larta se të ardhurat e familjeve shqiptare.

Për 6 mujorin e parë të 2022 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë çmimet e apartamenteve u rritën 40% më shumë krahasuar me 2021. Rritja e lartë sipas ekspertëve të tregut u ndikua edhe nga pritshmëritë e shumë ndërtuesve për miratimin e amnistisë fiskale, një draft që është publikuar disa herë nga qeveria, por miratimi është kundërshtuar nga institucionet ndërkombëtare. /D.Azo/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco