Pse po përhapet frika në tregjet financiare? /monitor

Pse po përhapet frika në tregjet financiare?

07:00, 18/11/2023
A+ Aa A-

Investitorët kanë filluar të përballen me realitetin se normat e larta të interesit do të jenë afatgjata, shkruan The Economist

Sipas poetit T. S. Eliot, prilli është muaji më mizor. Aksionerët nuk do të ishin dakord. Për ta, muaji më mizor është shtatori. Aksionet në pjesën tjetër të vitit, zakonisht rriten.

Që nga viti 1928, raporti i fitimeve mujore ndaj humbjeve në treguesin S&P 500 të Amerikës, duke përjashtuar shtatorin, ka qenë rreth 60/40.

Por ftohja e vjeshtës duket se shkakton një goditje në psikikën e tregut. Në shtator, treguesi ka rënë në 55% të rasteve. Edhe këtë vit, pas vrullit të gushtit, treguesi ra në javët e fundit.

Një efekt i tillë kalendarik kundërshton idenë se tregjet financiare janë efikase. Në fund të fundit, çmimet e aseteve duhet të lëvizin vetëm në përgjigje të të dhënave të reja (për shembull, flukset monetare të ardhshme). Luhatjet e parashikueshme duhet të dallohen, shfrytëzohen dhe menaxhohen nga tregtarët.

Megjithatë, këtë shtator nuk ka asnjë të fshehtë për atë çfarë po ndodh: investitorët kanë mësuar, ose më mirë kanë pranuar diçka të re: se normat e larta të interesit do të vazhdojnë për një kohë të gjatë.

Rënia u nxit nga një sërë njoftimesh mbi politikën monetare, të cilat filluan me rritjen e normave të interesit nga Rezerva Federale e Amerikës, veprimet e së cilës u ndoqën brenda dy ditësh nga 11 banka të tjera qendrore. Pothuajse të gjitha bankat e mëdha përsëritën mesazhin se normat e larta do të ishin të vazhdueshme.

Më parë, Huw Pill, nga Banka e Anglisë, i kishte krahasuar normat e interesit me majën e Table Mountain, një majë e sheshtë mali në qytetin afrikan Cape Town, për ta dalluar atë nga maja e thepisur e malit Matterhorn, në alpet europiane.

Kryetarja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, rriti normat e interesit dhe foli për një “garë të gjatë”. Guvernatorët e Rezervës Federale kishin menduar se norma bazë e interesit (që tani është 5.25-5.50%), do të kalonte shifrën 5% deri në fund të vitit 2024.

 

Pritshmëritë

Për tregun e bonove, këto dukuri thjesht vërtetuan pritshmëritë që ishin krijuar gjatë verës. Yield-i i bonove dyvjeçare të thesarit, i cili është i ndjeshëm ndaj pritshmërive afatshkurtra të politikës monetare, është rritur nga 3.8% në maj, në 5.1% tani.

Normat afatgjata janë rritur gjithashtu, dhe jo vetëm në Amerikë, ku yield-i bonove dhjetëvjeçare të thesarit ka arritur në 4.6%, niveli më i lartë në 16 vjet. Bund-et gjermane dhjetëvjeçare tani kanë një yield prej 2.8%, më të lartë se në çdo kohë që nga viti 2011.

Yield-et britanike “gilt” po i afrohen nivelit të vjeshtës së kaluar, që ishin arritur vetëm për shkak të shitjeve me çmime të ulëta dhe rënies së tregut.

Në të njëjtën kohë, Dollari është forcuar, i nxitur nga ekonomia e fuqishme e Amerikës dhe pritshmëria se normat e saj do të arrijnë nivel më të lartë se ato të vendeve të tjera. DXY, një matës i vlerës së Dollarit në krahasim me gjashtë monedha të tjera kryesore, është rritur me 7%, që nga një rënie në muajin korrik.

Në krahasim me tregjet e bonove dhe të këmbimit valutor, tregu i aksioneve është treguar i ngadaltë në pranimin e idesë se normat e larta të interesit do të vazhdojnë për një kohë të gjatë.

Është e vërtetë se kostot e huamarrjes nuk janë shtytësi i vetëm. Investitorët kanë qenë shumë entuziastë nga potenciali i Inteligjencës Artificiale dhe ekonomia elastike amerikane.

Me fjalë të tjera, perspektiva e rritjes së shpejtë të fitimeve mund të jetë një arsye për bursën e vrullshme, pavarësisht politikës së shtrënguar monetare.

Megjithatë, duket se investitorët kishin një këndvështrim shumë optimist edhe për normat e interesit, dhe jo vetëm sepse rënia më e fundit e çmimeve u shkaktua nga deklaratat e bankierëve qendrorë.

Duke qenë se aksionet janë më të rrezikshme se bonot, ato duhet të ofrojnë një kthim më të lartë fitimi si shpërblim. Matja e këtij kthimi shtesë të pritshëm është e vështirë, por mund të merret me përafërsi duke krahasuar yield-in e fitimeve të tregut të aksioneve (fitimet e pritshme për aksion, pjesëtuar me çmimin e aksionit), me yield-in e bonove më të sigurta të qeverisë.

Hendeku

Nëse e zbatojmë këtë për treguesin S&P 500 dhe bonot dhjetëvjeçare të Thesarit, atëherë na del se “hendeku i yield-eve” midis të dyve, ka rënë në vetëm një pikë përqindje, niveli më i ulët që nga flluska e dotcom.

Një mundësi është që investitorët mund të jenë aq të sigurt në fitimet themelore të aksioneve të tyre, saqë nuk kërkojnë ndonjë kthim shtesë për të llogaritur rrezikun në rast se këto fitime dalin zhgënjyese.

Por ky do të ishte një përfundim i çuditshëm për t’u nxjerrë nga rritja ekonomike, e cila, edhe pse ka qenë e fuqishme, nuk i ka shpëtuar plotësisht ciklit të biznesit, siç tregojnë të dhënat e fundit zhgënjyese të besimit të konsumatorëve dhe familjeve.

Nuk duket se ka gjasa as shpjegimi i fitimeve të lidhura me Inteligjencën Artificiale, një teknologji ende në zhvillim, efekti i së cilës në fitimet përfundimtare të firmave, mbetet i paprovuar.

Alternativa është se, deri tani, investitorët thjesht nuk kanë besuar se normat e interesit do të qëndronin të larta, për aq kohë sa parashikonte tregu i bonove dhe pretendonin bankat qendrore. Nëse ky është shpjegimi dhe tashmë ata kanë filluar të lëkunden, atëherë muajt e ardhshëm mund të jenë edhe më mizorë.

Frika
Deri tani, investitorët thjesht nuk kanë besuar se normat e interesit do të qëndronin të larta, për aq kohë sa parashikonte tregu i bonove dhe pretendonin bankat qendrore. Nëse ky është shpjegimi dhe tashmë ata kanë filluar të lëkunden, atëherë muajt e ardhshëm mund të jenë edhe më mizorë/Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco