Volum i lartë kartëmonedhash të huaja në treg/ BSH: 61.1 mld lekë në tetor

Volum i lartë kartëmonedhash të huaja në treg/ BSH: 61.1 mld lekë në tetor

18:01, 17/11/2023
A+ Aa A-

“Fotografimi” më i fundit që i ka bërë Banka e Shqipërisë volumit të monedhave dhe kartëmonedhave të huaja në ekonomi, flet për sasi mjaft të larta në fund të muajit tetor.

Sipas të dhënave zyrtare të saj, në fund të muajit tetor rezulton në total ekuivalenti prej 61.1 miliardë lekësh i monedhave dhe kartëmonedhave në valutë qe qarkullojnë në kanalet zyrtare, në rritje prej thuajse 2 miliardë lekësh krahasuar me shtatorin, ndërkohë që rritja është shumë më e dukshme krahasuar me gushtin, ku volumi i tyre ishte 13.5 miliardë lekë. Muaji me vlerën më të lartë të monedhave dhe kartëmonedhave ka qenë prilli, kur totali i tyre ishte mbi 108 miliardë lekë.

Rritja e pranisë së valutave të huaja në tregun tonë financiar vjen në një çast kur tetori ka shënuar rënie të monedhës tonë kombëtare në qarkullim jashtë sektorit bankar. Sipas të dhënave zyrtare, për herë të parë që prej muajve të verës, paraja në qarkullim jashtë bankave në vend ka shënuar rënie. Banka e Shqipërisë raporton se nga 408 miliardë lekë në muajin shtator, ajo ka rënë në 405.5 miliardë në fund të tetorit, duke u pakësuar me afërisht 3 miliardë lekë në harkun kohor të 30 ditëve, por me më shumë se 5 miliardë krahasuar me gushtin, kur u shënua vlera rekord prej 410.6 miliardë lekësh. Ndërkaq, volumi i parave në qarkullim jashtë sistemit bankar ka shumë i lartë përgjatë gjithë vitit.

Shifrat janë shumë më të larta po t’i krahasojmë me vitet e mëparshme. Në janarin e vitit 2022, totali i parave që qarkullonin jashtë bankave ishte pak më shumë se 376 miliardë lekë, thuajse 25 miliardë lekë, apo rreth 340 milionë euro më pak nga sa qarkullojnë aktualisht. Ky tregues ka ardhur në rritje përgjatë gjithë vitit të shkuar për të kulmuar në fund të tij në mbi 400 miliardë lekë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco