Emigrimi, konsumi në familjet e qarqeve të Veriut pësoi rënie me rreth 10% me 2014-2022

Emigrimi, konsumi në familjet e qarqeve të Veriut pësoi rënie me rreth 10% me 2014-2022

11:05, 30/10/2023
A+ Aa A-

Emigrimi i lartë i popullsisë nga zonat e veriut, sidomos i të rinjve ka prekur ndjeshëm konsumin në disa qarqe.

Nga viti 2014 me 2022 shpenzimet mujore të familjeve shqiptare në shkallë kombëtare u rriten mesatarisht me 27 për qind. Nga ana tjetër çmimet gjatë kësaj periudhë u rriten me 19.8 % (inflacioni mesatar 2014-2022). Të indeksuara me inflacionin shpenzimet reale të familjeve shqiptare janë rritur me 7.2 për qind gjatë periudhës në krahasim, por në qarqet e Veriut ato janë ulur me rreth 10 për qind sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjeve të INSTAT.

Në familjet e qarqeve të Veriut, Kukës, Shkodër, Lezhë dhe Dibër rritja e shpenzimeve mujore ishte vetëm 11% nga 2014-2022, por duke qenë se këtë gjatë kësaj periudhe çmimet u rriten me 19.8 për qind, konsumi mujor në familjet e Lezhës u ul me -15 %, në ato të Shkodrës me -11.3% në të Dibrës me -10.1% dhe në të Kukësit konsumi real për një familje u rrit me vetëm 2.6%.

Të dhënat tregojnë se përgjatë 8 viteve të fundit shpenzimet janë rritur me ritmet më të larta se mesatarja kombëtare në qarkun e Korçës. Shpenzimet e familjeve të e këtij qarku në vlerë nominale u rriten me 48 për qind nga 2014-2022, por të indeksuara me inflacionin rritja ishte 28.4%. Një familje korçare shpenzoi mesatarisht 85,398 lekë në muaj në vitin 2022 nga 57, 633 në vitin 2014. Pas Korçës rritja ishte më e lartë e shpenzimeve reale  ishte për familjet e Vlorës me rreth 24.6 për qind për të njëjtën periudhe krahasimi. Në renditje vijnë Elbasani dhe Berati, në të cilat shpenzimet reale të familjeve ishin 23.4 dhe 18.6% secila.

Tirana kryeson për nga madhësia e shpenzimeve mujore të familjeve. Në vitin 2022 një familje në kryeqytet shpenzoi mesatarisht 104,426  lekë në muaj, por shpenzimet reale të familjeve në kryeqytet u rriten me vetëm 8 për qind ndërmjet 2014 dhe 2022.

Harta e rritjes së shpenzimeve të familjeve tregon zhvillim të pabarabartë ndërmjet rajoneve të vendit që thellon me tej diferencat ekonomike, të cilat më pas bëhen shkak për zhvendosje të popullsisë nga këto vende.

Tregues të tjerë si Prodhimi i Brendshëm Bruto sipas Rajoneve tregojnë se Rajoni i Veriut në dekadën e fundit u rrit me ritme shumë më të ulëta se rajoni i Qendrës dhe ai i Jugut. Këto zhvillime shpjegojnë edhe largimin masiv të popullsisë nga zonat  e Veriut sidomos të të rinjve edhe pse qarqet kanë një potencial të madhe ende të pashfrytëzuar për turizmin malor.

Të dhënat tregojnë se zhvillimi i turizmit ka qenë një indikator i fortë i rritjes të ardhurave në disa qarqe. Korça rezulton të jetë shembulli më i mirë i zhvillimit rajonal, pasi përmes politikave vendore për zhvillimin e bujqësie dhe turizmit ka siguruar rritjen më të shpejtë te shpenzimeve për familje në rang kombëtar në dekadën e fundit./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco