Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ A po e shet Rama Veliajn?

A është bërë tepër e fuqishme Banka Qendrore Europiane?

A është bërë tepër e fuqishme Banka Qendrore Europiane?

22:21, 07/10/2023
A+ Aa A-

Nga politika monetare, te gjeopolitika dhe ndryshimet klimatike, përgjegjësitë e saj po rriten, shkruan The Economist

“Asgjë nuk është e mundur pa njerëz. Asgjë nuk zgjat pa institucione”, ka thënë Jean Monnet, një nga baballarët themelues të Bashkimit Europian.

Rritja e pushtetit të Bankës Qendrore Europiane (BQE) nga fillimet modeste, si mbrojtëse e një monedhe të sapolindur, në një nga fuqitë e mëdha në politikën europiane, mund të ketë habitur edhe vetë teknokratin mjeshtëror.

Pasi mbushi së fundmi 25 vjeç, institucioni është bërë aq i fuqishëm, sa tani po përballet me një pyetje të vështirë: A e di se kur duhet të ndalet?

BQE-ja është e veçantë në kuptimin që nuk ka asnjë mbikëqyrës politik apo homolog fiskal. Pavarësia e saj është e sanksionuar me traktate, gjëja më e afërt që ka BE-ja me një kushtetutë. Në qendër të mandatit të bankës është qëndrueshmëria e çmimeve.

Si pjesë e rolit dytësor, politikëbërësit udhëzohen “të mbështesin politikat e përgjithshme ekonomike të BE-së”, të cilat përfshijnë rritjen ekonomike dhe punësimin, në një mënyrë të ngjashme me mandatin e dyfishtë të Rezervës Federale të Amerikës, por gjithashtu mund të zgjerohen për të përfshirë politikat klimatike ose uljen e rrezikut të marrëdhënieve me Kinën.

Gjatë gjithë historisë së BQE-së, zyrtarët e saj kanë marrë përgjegjësi shtesë. Në shumë raste, kanë qenë të detyruar ta bëjnë këtë.

Në mes të trazirave të tregut gjatë krizës së borxhit sovran në fillim të viteve 2010, Mario Draghi, atëherë presidenti i bankës, i qetësoi investitorët duke premtuar se do të bënte “çfarëdo që të nevojitej” për të mbrojtur Euron.

Gjatë COVID-19 dhe nën drejtimin e presidentes së tanishme Christine Lagarde, BQE-ja bleu borxhe publike me vlerë 1.7 trilionë euro (2 trilionë dollarë), për të qetësuar dyshimet rreth likuiditetit të qeverive të Eurozonës.

Pas këtij veprimi, ajo shpalli një tjetër program për blerjen e bonove vitin e kaluar, kur u shtua rreziku që inflacioni të rriste normat e interesit për bonot italiane.

BQE-ja është bërë huadhënësi i mundësisë së fundit për qeveritë e Eurozonës

Praktikisht, BQE-ja është bërë huadhënësi i mundësisë së fundit për qeveritë e Eurozonës. Banka thekson vazhdimisht se programet e saj të blerjes së bonove shoqërohen me kushte të bashkangjitura.

Me të vërtetë, për të anashkaluar traktatin që ndalon financimin e qeverive, zyrtarët duhet të kenë një justifikim të politikës monetare në përputhje me respektimin e rregullave fiskale të BE-së dhe të dëshmojnë nevojën për borxh të qëndrueshëm.

Për rrjedhojë, “avokatët e BQE-së duhet të jenë ndër novatorët më të mëdhenj në botë”, thotë Sander Tordoir, nga Qendra për Reformën Europiane, institut kërkimor.

Në vend që qeveritë të mbështeten te banka qendrore për ndihmë, siç mund të ndodhë gjetiu në kohë krize, BQE-ja zbaton “arsyetimin makroekonomik”, siç shprehet Francesco Papadia, ish-zyrtar i BQE-së.

Gjeopolitika

Tani gjeopolitika po e shtyn BQE-në në një rol edhe më delikat. Marrim si shembull linjat e shkëmbimit të monedhave. Është në dorë të bankës nëse do t’i vendosë ato.

Për shembull, nëse bankat europiane kanë nevojë urgjente për dollarë, BQE-ja mund të shkëmbejë euro për dollarë me Rezervën Federale amerikane. Nga dy anëtarët e mëdhenj të BE-së që nuk përdorin Euron, Polonia përfiton nga një linjë e kufizuar shkëmbimi me BQE-në, ndërsa Hungaria, jo.

“Për shembull, nëse Ukraina lidh një marrëveshje të tillë, ky duhet të jetë një vendim i përbashkët me ministrat e Financave dhe jo vetëm me BQE-në”, argumenton Shahin Vallée, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.

Në mënyrë të ngjashme, BQE-ja është një zë i fuqishëm në debatin se çfarë duhet të ndodhë me asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, duke parapëlqyer që t’i lërë ato të paprekura.

Ajo kundërshton mbi baza ligjore edhe përpjekjet për të rikanalizuar drejt bankave të zhvillimit, disa të drejta të veçanta të tërheqjes të FMN-së, që mund të përdoren si rezerva në valutë të huaj.

Megjithatë, BQE-ja nuk po u përgjigjet thjesht ngjarjeve. Kjo mund të shihet në përpjekjet për promovimin e Euros, diçka të cilën mandati i saj nuk e kërkon në mënyrë të hapur.

Siç tha zonja Lagarde kohët e fundit për “The Economist”:

“Nëse ka më shumë tregti në Euro, ne duhet të sigurojmë likuiditet për ta mbështetur atë tregti. Një euro ndërkombëtar është një forcë për qëndrueshmëri”.

Një mënyrë me të cilën banka po planifikon të nxisë Euron, është përmes një monedhe dixhitale, e cila mund të ndihmojë në lehtësimin e transaksioneve ndërkombëtare.

Ajo ka shkuar edhe më larg se Rezerva Federale, e cila nuk pritet të lëshojë një version të tillë dhe është më e shqetësuar për miratimin politik.

Ndryshimet klimatike

Ndryshimet klimatike janë një tjetër fushë ku BQE-ja po luan një rol. Si mbikëqyrësi kryesor bankar i BE-së, ajo duhet të vlerësojë rreziqet e reja.

“Nuk është më polemike që kriza klimatike të përkthehet në rrezik financiar, kështu që është plotësisht brenda mandatit tonë”, thotë Frank Elderson nga bordi ekzekutiv i BQE-së.

Rezultatet e një prove të stresit klimatik nga BQE-ja, të publikuara më 6 shtator, tregojnë se një tranzicion më i shpejtë i energjisë do të ulë rreziqet e kreditimit të bankave në një periudhë afatmesme.

Kështu, qëndrimi ekologjik do të ndikojë gjithnjë e më shumë në menaxhimin e rrezikut të BQE-së, blerjen e bonove dhe politikat e kolateralit.

Zonja Lagarde argumenton se mund të përfshihen më shumë gjëra brenda mandatit të bankës: “Të gjitha organet europiane, nga Parlamenti Europian deri tek vendet anëtare, janë të përkushtuara ndaj objektivave klimatike të Marrëveshjes së Parisit”.

Një politikë që po debatohet është një version ekologjik i operacioneve të huadhënies së shënjestruar nga BQE-ja. Këto deri tani janë përdorur si mjete të politikës monetare, duke i nxitur institucionet financiare të japin kredi për kompanitë dhe familjet.

Marrja parasysh e çështjeve ekologjike kur shpërndahen para, do të nënkuptojë se banka do të zbatojë një politikë të drejtpërdrejtë klimatike, e cila do të shkonte përtej çdo gjëje që do të ishte e gatshme të merrte përsipër Rezerva Federale.

A po bën shumë BQE-ja

Rreziku i gjithë kësaj është se BQE-ja po bën shumë. Qeveritë europiane duket se nuk kanë asnjë dëshirë për t’i vënë kufij bankës. Madje, ajo mund të shihet si një mënyrë për të arritur gjëra që politikanët nuk munden, nga frika e reagimit publik.

Ndoshta duke qenë të vetëdijshëm për fuqinë në rritje, shtetet europiane po emërojnë ish-politikanë në Këshillin Drejtues të BQE-së. Vetë presidentja e bankës ka qenë më parë ministre e Financave e Francës; ndërsa Luis de Guindos, zëvendëspresidenti i bankës, ka qenë ministër i Financave i Spanjës.

Megjithatë, sa më shumë që BQE-ja futet në zona që ngjallin polemika, aq më i madh është rreziku që të dëmtohet legjitimiteti i saj. Tani për tani, si politikanët, ashtu edhe bankat qendrore, janë të lumtura. A do të fillojnë një ditë qytetarët të kundërshtojnë?

Image

Rreziku

Rreziku i gjithë kësaj është se BQE-ja po bën shumë. Qeveritë europiane duket se nuk kanë asnjë dëshirë për t’i vënë kufij bankës. Madje, ajo mund të shihet si një mënyrë për të arritur gjëra që politikanët nuk munden, nga frika e reagimit publik. Sa më shumë që BQE-ja futet në zona që ngjallin polemika, aq më i madh është rreziku që të dëmtohet legjitimiteti i saj. Tani për tani, si politikanët, ashtu edhe bankat qendrore, janë të lumtura. A do të fillojnë një ditë qytetarët të kundërshtojnë?/Marrë nga Monitor

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco