Huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm do të ulet më tej në tremujorin e fundit

Huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm do të ulet më tej në tremujorin e fundit

13:35, 18/09/2023
A+ Aa A-

Huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm pritet të ulet më tej në tremujorin e fundit të vitit.

Sipas kalendarit të huamarrjes të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shuma e programuar për t’u financuar në tregun e brendshëm, (duke përfshirë edhe rifinancimet e instrumenteve të maturuar) do të ketë vlerën e afërsisht 80 miliardë lekëve, në rënie me 3.6% krahasuar me tremujorin e tretë dhe në rënie me 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia do të jetë veçanërisht e theksuar për muajin dhjetor, kur Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka planifikuar huamarrje totale në vlerën e 16.5 miliardë lekëve, 42% më pak krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar.

Gjatë këtij viti, qeveria ka shfrytëzuar kushtet më të favorshme të financimit që ka ofruar treguar i brendshëm për të siguruar pjesën më të madhe të huamarrjes së planifikuar vjetore. Madje, në gjysmën e parë të vitit huamarrja ka qenë edhe më e lartë se ajo e parashikuar në kalendar, falë kërkesës së lartë të tregut për instrumentet e borxhit të qeverisë dhe yield-eve në rënie.

Gjithashtu, në muajin qershor të këtij viti, Shqipëria realizoi edhe emetimin e Eurobondit të radhës prej 600 milionë eurosh në tregjet ndërkombëtare. Kjo shumë do të përdoret pjesërisht për të mbuluar deficitin buxhetor të këtij viti dhe pjesërisht për të shlyer një pjesë të Eurobondit të mëparshëm, që parashikohet të maturohet në vitin 2025.

Gjendja e buxhetit të shtetit nga të dhënat e deritanishme është në suficit të zgjeruar, me rreth 45 miliardë lekë deri në fund të 7-mujorit. Suficiti madje është rritur me rreth tre herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Siç ndodh zakonisht, pritet që i gjithë deficiti i planifikuar vjetor të shpenzohet në muajt e fundit të vitit.

Një kërkesë më e ulët e qeverisë për financim në teori është një faktor që i mban të ulëta presionet për rritjen e yield-eve. Yield-et e instrumenteve të huamarrjes së brendshme kanë ndjekur një tendencë në rënie gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërsa kanë qenë relativisht të qëndrueshme gjatë tremujorit të tretë. Vetëm gjatë muajit shtator janë vërejtur disa sinjale për rritjen e yield-eve, por vetëm në instrumentet afatgjata, kryesisht obligacionet 5-vjeçare dhe 7-vjeçare.

Për tremujorin e fundit tregu është në pritje të sinjaleve të reja që do të vijnë nga Banka e Shqipërisë. Deri tani gjatë këtij viti, banka qendrore e ka rritur vetëm njëherë normën bazë të interesit dhe aktualisht ajo qëndron në nivelin 3%, ndër më të ulëtit në Europë. Një nivel i tillë i normës bazë, pavarësisht inflacionit që ngelet sipër objektivit, shpjegohet kryesisht me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit, por pjesërisht edhe me politikën fiskale shtrënguese që ka ndjekur qeveria shqiptare./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco