Pezullimi i fondeve nga BE konfirmoi lënien në mëshirë të fatit të bujqësisë

Pezullimi i fondeve nga BE konfirmoi lënien në mëshirë të fatit të bujqësisë

07:00, 22/07/2023
A+ Aa A-

Pavarësisht nëse fondet e IPARD disbursohen apo jo, kambanat e alarmit për sektorin e bujqësisë kanë rënë prej kohësh dhe pezullimi i programit, jo vetëm që jep sinjale negative për të gjithë ata që ende investojnë në sektorin e bujqësisë, por konfirmon keqadministrimin dhe lënien në mëshirë të fatit të një sektori të rëndësishëm dhe jetik, i cili punëson 40% të forcës së punës dhe e ka kaq të domosdoshme vëmendjen e qeverisë dhe kërkon politika dhe plane konkrete financimi, transparente dhe stimuluese.

Shënim nga Monitor

Në dy vitet e fundit, bujqësia është rritur mesatarisht me më pak sesa 1%, shumë më pak sesa mesatarja e së gjithë ekonomisë prej rreth 6.5% për të njëjtën periudhë.

Në tremujorin e parë të këtij viti, zgjerimi i sektorit që kontribuon në rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ishte pothuajse zero (0.04%), sipas të dhënave zyrtare që publikohen nga INSTAT, nga 2.72% që ishte shifra për gjithë ekonominë.

Në vite, bujqësia nuk ka arritur të formatohet si një sektor me vlerë të shtuar dhe kjo për shumë arsye, si strukturore të trashëguara, p.sh., copëzimi i tokës që çon në mosarritjen e ekonomisë së shkallës, por dhe për arsye të lidhura me politikat e gabuara, apo dhe mungesa e tyre për të nxitur zinxhirin e vlerës në shumë nënsektorë.

P.sh., ndryshimi i vazhdueshëm i skemave të TVSH-së në industrinë përpunuese çoi në krizë industrinë e qumështit.

Vendi më bujqësor i Europës, sot ka bulmetin më të shtrenjtë dhe kompanitë përpunuese i janë drejtuar importit për të marrë lëndën e parë, sepse kanë më leverdi, sesa ta blejnë qumështin nga fermerët shqiptarë.

Këta të fundit janë drejt falimentimit, teksa shifra zyrtare treguan në vitin 2022 se numri i krerëve të bagëtive që prodhojnë qumësht, gjedhë, dele dhe dhi u reduktua me 8.3% me bazë vjetore. Tkurrje kanë pësuar edhe nënproduktet si qumështi me 4.2%, mishi me 5,6% dhe vezët me 15%.

Rënia, në mënyrë të natyrshme, u hapi rrugë importeve. Qumështi i importit është rritur me gati 30% në muajt e parë të vitit, të njëjtën tendencë ka edhe mishi.

Ky është një paradoks për një vend që ka peshën më të lartë të bujqësisë në Europë, me 20% të PBB-së, nga 2-3% që është mesatarja europiane dhe deri në 11% që e ka Kosova, e dyta pas nesh. Nuk ka pasur përpjekje as për të lidhur bujqësinë me turizmin, me këtë të fundit që është në një lulëzim të vërtetë këtë vit dhe mund të shërbente për të nxitur prodhimin në shumë sektorë.

Tërheqja e fondeve për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në kuadër të programit të Bashkimit Europian për projektet e IPARD [mbështetje financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së (75%) dhe qeverisë shqiptare (25%)] ishte shansi i madh që sektori kishte për të zgjidhur një pjesë të problemeve, duke ndikuar në rritjen e konkurrueshmërisë në disa nënsektorë.

Një zhvillim pozitiv ishte rritja e kapaciteteve për të tërhequr këto fonde. Programi IPARD II ishte gjithsej 94 milionë euro në total, nga të cilat 71 milionë euro ishin financime të BE-së.

Gjatë zbatimit të tij, nga viti 2014 deri më 2020, u arrit të disbursohen 54,3 milionë euro, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë.

Në fondet IPARD III, ishin programuar për t’u disbursuar në Shqipëri edhe 112 milionë euro nga fondet e BE-së për 2021-2027, nga të cilat 8 milionë euro më 2021; 10 milionë euro më 2022; rreth 12 milionë euro këtë vit; 16 milionë më 2024, rreth 19 milionë të tjera në 2025, teksa 25 milionë ishin programuar më 2026 dhe kësti i fundit 24 milionë euro më 2027.

Fondet janë pezulluar përkohësisht, pasi u përfshinë në një proces hetimi nga OLAF (zyra që heton mashtrimin e buxhetit të BE-së, korrupsionin dhe keqpërdorimet serioze brenda institucioneve europiane).

Do të duhet të presim rezultatet e hetimit të OLAF, por gjithsesi pezullimi i pagesave, ndonëse mund të jetë i përkohshëm, hedh hije dyshimi mbi efektivitetin e përdorimit të tyre dhe aftësisë së institucioneve shqiptare për t’i orientuar ato në përmirësimin e eficiencës së sektorëve të bujqësisë (ecuria e dobët e këtij sektori, ndoshta me përjashtim të rritjes së eksporteve të produkteve bujqësore) është dëshmi indirekte e politikave të pamjaftueshme, apo keqpërdorimit të këtyre fondeve kaq të nevojshme.

Bujqësia sot e ka më se të nevojshme të rrisë konkurrueshmërinë, të lidhë në mënyrë eficiente zinxhirin e vlerës dhe ta shtojë atë, apo dhe të orientojë drejt prodhimin, teksa një vit ka superprodhim, siç ndodhi vjet me vajin e ullirit, apo këtë vit me grurin, që pritet të mbetet stok.

Pavarësisht nëse fondet e IPARD disbursohen apo jo, kambanat e alarmit për sektorin e bujqësisë kanë rënë prej kohësh dhe pezullimi i programit, jo vetëm që jep sinjale negative për të gjithë ata që ende investojnë në sektorin e bujqësisë, por konfirmon keqadministrimin dhe lënien në mëshirë të fatit të një sektori të rëndësishëm dhe jetik, i cili punëson 40% të forcës së punës dhe e ka kaq të domosdoshme vëmendjen e qeverisë dhe kërkon politika dhe plane konkrete financimi, transparente dhe stimuluese.

Për fermerët shqiptarë duket sikur është më tërheqëse puna sezonale në vendet fqinjë sesa investimi në tokën e tyre, ku ata përballen me probleme, të cilat përsëriten çdo vit, si në rastin e ullirit, apo së fundmi prodhimi i grurit.

Në vend të përqendrimit në këto problematika, qeveria ka qenë më e shqetësuar që të gjejë terren për prodhimin e kanabisit, nëpërmjet një ligji të posaçëm që u miratua me shpejtësi në Kuvend.

Kjo “zgjidhje” pritet t’i japë goditjen e radhës bujqësisë, pasi vëmendja dhe tokat mund të përqendrohen drejt këtij produkti, që ndikon fare pak në ekonominë rurale dhe është në favor të një pakice, duke ndikuar më tej negativisht në emigrimin e zonës rurale, duke u hapur përfundimisht rrugën importeve./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco