'Sektori bankar në 30 vite ekonomi të lirë', forum bankar nga FEUT

'Sektori bankar në 30 vite ekonomi të lirë', forum bankar nga FEUT

16:58, 07/04/2023
A+ Aa A-

Ecuria e sektorit bankar gjatë 30 viteve të ekonomisë së lirë ishte fokusi i forumit të organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Bankierë, ekspertë të financave, studiues dhe akademikë, si edhe përfaqësues të institucioneve kombëtare e ndërkombëtare trajtuan potencialin e krijuar në këtë fushë dhe mënyrat për të ecur të sigurt drejt të ardhmes.

Forumi u mbështet nga Grupi BALFIN, si pjesë e aktiviteteve të organizuara për 30 vjetorin e themelimit të tij nga Samir Mane.

Prof. Dr. Dhori Kule, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, në fjalën e mirëseardhjes vlerësoi rolin e veçantë të bankave në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit në tre dekada, duke theksuar qëndrueshmërinë e tyre dhe vendet e punës që sjellin.

Forumin e përshëndetën edhe Zëvendës Guvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, i cili falenderoi Grupin BALFIN për organizimin e një forumi të tillë, që i jep mundësi publikut të njihet me historikun dhe të ardhmen e sistemit bankar. 

Paneli i përbërë nga Dritan Mustafa, Drejtor Ekzekutiv i Tirana Bank, bankës së parë private në Shqipëri; Antonio Braghò, Zëvendës Drejtor Ekzekutiv i Intesa SanPaolo Bank; Mirsad Haliti, Anëtar i Drejtorisë Ekzekutive në ProCredit Bank, dhe Keler Gjika, Ekspert i Sektorit Financiar në Bankën Botërore, diskutoi rreth sfidave dhe mundësive që u paraqiten bankave në mjedisin e sotëm operacional.

Globalizimi dhe temat aktuale ekonomike e politike në nivel ndërkombëtar, njëkohësisht edhe informaliteti në kushtet lokale ishin disa nga çështjet për të cilat të ftuarit dhanë këndvështrimet e tyre.

“Sistemi bankar është më i mirë-rregulluari në vend”, u shpreh Dritan Mustafa. Tirana Bank është banka e parë private në Shqipëri dhe treguesit e saj janë në rritje me ritme të shpejta.

Panelistët ndanë me pjesëmarrësit ekspertizën e tyre mbi financat e qëndrueshme dhe investimet me ndikim, duke e ilustruar me praktikat më mira në Shqipëri.

Sipas tyre, epoka e teknologjisë financiare dhe pagesave digjitale është realiteti me të cilin institucionet financiare duhet të përshtaten. Në fund, theksi u vu tek konsumatorët e rinj ose gjenerata Z dhe ndërveprimi i tyre me sistemin bankar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco