Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ A po e shet Rama Veliajn?

Anomalia e eksporteve mbulohet nga çmimet e larta: realisht ishin me rënie

Anomalia e eksporteve mbulohet nga çmimet e larta: realisht ishin me rënie

07:17, 17/02/2023
A+ Aa A-

Rritja e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare po maskon dobësitë me të cilat po përballen eksportet shqiptare dy vitet e fundit.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, eksportet në vlerë janë rritur me ritme dyshifrore, por sasia e tyre është me rënie më 2022 dhe janar 2023.

Në janar të këtij viti, eksportet në vlerë shënuan rritje vjetore me mbi 20%, por në sasi ato ishin me rënie 0.4%.

Rritja e çmimeve të mallrave po bën që të ardhurat nga eksportet të rriten, edhe pse sasia e tyre është me ulje.

Kostot e larta të lëndëve të para kanë reduktuar prodhimin me bazë eksporti në disa sektorë. P.sh., vitin e kaluar fabrika e prodhimit të hekurit Kurum, mbylli përkohësisht aktivitetin prej kostove të larta të lëndëve të para.

Rënia e eksporteve në sasi po hyn në vitin e dytë të saj, pasi më 2022, sasia e tyre ra me 10% më e madhja në dekada. Vitin e kaluar, tri grupet që shënuan rënien më të madhe të sasive ishin nafta, mineralet me rreth 16%, materialet e ndërtimit, me rreth 8.2%.

Rritja më e madhe e eksporteve në sasi ndodhi për grupet e tekstilit dhe këpucëve me rritje të sasive rreth 15%, eksportet e produkteve kimike dhe plastike me 17% dhe grupi i ushqimeve me rreth 12%.

Në janar 2023, rënia e eksporteve në sasi vijoi me 0.4% në krahasim me janarin 2022. Xeherorët, grupi i katërt për nga volumi, shënoi ulje me rreth 39%. Druri dhe artikujt prej tyre grupi i nëntë më i madh për nga sasia shënoi ulje vjetore me 38% në janar 2023.

Gjithashtu eksporti i bimëve mjekësore dhe farave vajore shënoi rënie me 25%. Peshku dhe kafshët e tjera guackore shënuan rënie me 18%. Rënie shënuan edhe disa metale kryesisht bakri. Grupi i plehëruesve për bujqësinë shënoi rënie vjetore me 95 për qind në janar 2023.

Ndërsa në vlerë gjatë janarit 2023 ka ndikuar pozitivisht eksporti i “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,7 pikë përqindje, dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje. Ndërsa negativisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me -0,8 pikë përqindje.

Gjatë janarit vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve ne vlerë ishin Maqedonia e Veriut (207,5%), Kosova (31,4%) dhe Greqia (81,6%). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Italia (-4,1%), Gjermania (-17,7%) dhe Kina (-24,2%).

Në janar 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke u rritur me 20,2%, por në sasi pësuan rënie me 0.4%. Në vitin 2022 eksportet e mallrave arritën 487 miliardë lekë, duke u rritur me 32,0%, por në sasi ato pësuan rënie me 10%./B.Hoxha/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco