Finalja e Kupës së Botës pritet të sjellë një risi që mund të hyjë në histori, pasi FIFA po shqyrton zgjatjen e pushimit mes dy pjesëve deri në 25 minuta.
Shkak është organizimi i një spektakli muzikor të ngjashëm me atë të finales së Super Bowl, që do të zhvillohet në stadiumin “New York New Jersey”.
Sipas raportimeve, shfaqja muzikore do të zgjasë rreth 11 minuta dhe pritet të mbledhë në skenë emra të njohur të muzikës botërore.
Mes artistëve që përfliten janë Madonna, Shakira dhe grupi i famshëm BTS, ndërsa në program janë përfshirë edhe Justin Bieber, Burna Boy dhe artistë të tjerë.
Nëse plani miratohet, FIFA do të devijojë nga rregulli standard i IFAB, i cili përcakton se pushimi mes dy pjesëve nuk duhet të kalojë 15 minuta.
Një situatë e ngjashme u pa edhe në finalen e Kupës së Botës për Klube, ku pauza zgjati 24 minuta për shkak të koncertit.
Finalja e Botërorit do të nisë në orën 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore dhe pritet të shoqërohet nga një ceremoni madhështore para ndeshjes.
Në fushë, Spanja ka siguruar tashmë një vend në finale dhe pret të mësojë kundërshtarin mes Anglisë dhe Argjentinës, ndërsa vëmendja e botës do të jetë e ndarë mes futbollit dhe spektaklit që FIFA po përgatit.
© SYRI.net