Spanja gjeti çelësin e suksesit ndaj Francës në gjysmëfinalen e Botërorit 2026 aty ku luhen ndeshjet e mëdha: në mesfushë. Me një Fabián Ruiz në rolin e një “shërbëtori” perfekt, Rodri dhe Dani Olmo dominuan sfidën sipas dëshirës, duke i dhënë “La Roja”-s një tjetër paraqitje madhështore.
Spanja nuk e bëri publik planin e saj, por e kishte të qartë se ku duhej ta fitonte betejën. Ishte pikërisht zona e mesit të fushës, aty ku vendosen ritmi dhe kontrolli i një ndeshjeje. Ndërsa Aurélien Tchouaméni u duk i humbur dhe Adrien Rabiot mori një karton të verdhë që në fillim, dyshja spanjolle nxori në pah gjithë klasin e saj.
Rodri ishte lideri absolut i këtij dominimi. Mesfushori i Manchester City-t zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, me një vlerësim 7.6 sipas statistikave të “Sofascore”, fitoi 11 duele dhe pati një saktësi prej 87% në pasime.

“E shihte lojën më shpejt se të tjerët”, kishte thënë dikur Santi Denia, i cili e kishte drejtuar Rodrin në ekipet e moshave. Dhe ai “fëmijë” u shndërrua në një gjigant të futbollit, madje në fitues të “Topit të Artë”.
Në këtë Botëror, Rodri ka rikthyer autoritetin e tij të plotë. Ai kontrolloi ritmin e lojës si një “Perandor”, duke udhëhequr Spanjën në çdo aspekt të mesfushës. Me mbështetjen e Fabián Ruiz-it, ai krijoi ekuilibrin që i lejoi Dani Olmos të shfaqte gjithë talentin e tij.
Olmo ishte “Magjistari” i Spanjës. Një futbollist me stilin e një fantazisti klasik, që ndryshon ndeshjen me lëvizje të vogla, kthesa të shpejta dhe zgjuarsi teknike. Kundër Francës ai realizoi 29 pasime të sakta nga 30 tentativa, rikuperoi katër topa, fitoi tri duele dhe e çoi topin përpara me sukses 18 herë.

Kulmi i paraqitjes së tij erdhi në aksionin e golit të dytë. Olmo depërtoi mes mbrojtësve francezë dhe shërbeu për Pedro Porron, i cili vulosi kualifikimin e Spanjës në finalen e madhe.
“Është koha për të qëndisur yllin e dytë”, kishte thënë Lamine Yamal në fillim të këtij rrugëtimi. Tani ëndrra është shumë pranë realizimit.
Spanja shkon në finale si favorite, jo vetëm për rezultatet, por për mënyrën si ka kontrolluar ndeshjet më të mëdha.
Megjithatë, Luis de la Fuente dhe lojtarët e tij e dinë se Botërorët fitohen edhe duke vuajtur. Dhe një nga forcat më të mëdha të kësaj skuadre është thellësia e jashtëzakonshme e grupit.
Edhe kur Rodri dhe Olmo dominuan si “Perandori” dhe “Magjistari”, në pjesën e dytë u shfaqën Pedri dhe Mikel Merino për të ruajtur nivelin. Ndërkohë, një lojtar i madh si Martín Zubimendi ende nuk ka luajtur asnjë minutë në këtë turne.
Kjo është forca e Spanjës: jo vetëm talenti i individëve, por një skuadër e kompletuar që ka shumë zgjidhje dhe një identitet të qartë.
© SYRI.net