Legjendat i përulen Spanjës, Henry: Dhe ata talleshin me Cucurella-n...

Legjendat i përulen Spanjës, Henry: Dhe ata talleshin me Cucurella-n...

11:57, 15/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Spanja siguroi për herë të dytë në historinë e saj një vend në finalen e Kupës së Botës, 16 vite pas triumfit të vitit 2010. Pas fitores ndaj Francës në gjysmëfinalen e Botërorit 2026, “La Roja” mori shumë lavdërime nga ish-futbollistë të mëdhenj, të cilët u mahnitën nga dominimi i skuadrës së Luis de la Fuentes.

Një nga zërat më të spikatur ishte ai i Thierry Henry, i cili vlerësoi në veçanti mënyrën se si Spanja kontrolloi ndeshjen.

“Spanja tregoi pse është kampione e Europës. Kontrolloi ndeshjen me top dhe pa top. Ishte shumë superiore, nuk ka shumë për të thënë. Duhet të mendojmë më mirë se si duhet luajtur kundër tyre”, deklaroi Henry.

Ish-sulmuesi francez mbrojti edhe lojtarë si Mikel Oyarzabal dhe Marc Cucurella, të cilët sipas tij nuk kanë marrë gjithmonë vlerësimin e merituar.

“Njerëzit nuk i tregojnë respektin e duhur Oyarzabal-it sepse luan te Real Sociedad dhe jo te Barcelona, Atletico apo Real Madrid. Tani do ta bëjnë. Ndërsa Cucurella është i jashtëzakonshëm. Njerëzit tallen me të, por askush nuk e kalon dot. Të luash nga minuta e 30-të me karton të verdhë, të mbrosh dhe të fitosh duele ndaj Olise-s apo Dembélé-së... i kishte në xhep”, tha Henry.

Edhe Zlatan Ibrahimović vlerësoi forcën kolektive të Spanjës, duke theksuar se suksesi nuk varet vetëm nga një ‘yll’ si Lamine Yamal.

“Kur flasim për Spanjën, nuk flasim për një lojtar të vetëm. ‘Ylli’ është skuadra. Kanë Yamal-in, por nuk varen nga një futbollist. Gjithçka që bëjnë, e bëjnë si ekip. Rodri është rikthyer në një nivel të jashtëzakonshëm. Ai ka treguar se është një fitues i madh i Topit të Artë. Ka kaluar një dëmtim shumë të vështirë dhe është lojtari që çdo skuadër do të donte ta kishte”, u shpreh suedezi.

Ish-futbollisti i Anglisë, Steve McManaman, pranoi se Spanja befasoi shumë njerëz.

“Na bënë të dukemi si budallenj të gjithëve. Pothuajse të gjithë mendonin se Franca do të shkonte në finale. Spanja ishte jashtëzakonisht dominuese sot.”

Edhe Michael Owen vlerësoi paraqitjen e kampionëve të Europës.

“Një paraqitje fantastike e Spanjës. Franca kishte ‘yjet’ individualë, por kjo skuadër spanjolle nuk dha asnjëherë përshtypjen se mund të mposhtej. Anglia ose Argjentina do të duhet ta rrisin shumë nivelin për ta mposhtur këtë grup.”

Ish-sulmuesi Troy Deeney shkoi edhe më tej, duke e cilësuar Spanjën ekipin më të mirë në botë.

“Spanja po përballej me një nga skuadrat më të mira të botës, por sot Franca u përball me skuadrën më të mirë në botë. Gjithmonë kam thënë se nuk e kishim parë ende Spanjën të vendosej vërtet në provë. Por ndoshta nuk do ta shohim kurrë, sepse ata thjesht mbajnë topin dhe të lodhin.”

Edhe ish-mbrojtësi i Manchester United, Gary Neville, mbeti i impresionuar nga diferenca mes dy skuadrave.

“Besoj se të gjithë jemi pak të tronditur. Të gjithë mendonim se Franca do të fitonte dhe në fund ajo u shkatërrua. Ishte një paraqitje absolutisht e jashtëzakonshme e Spanjës. Diferenca mes dy skuadrave u pa edhe te mbrojtësit e krahut. Cucurella dhe Porro ishin fantastikë ndaj sulmuesve francezë, ndërsa Digne pati shumë probleme.”

Spanja tashmë pret kundërshtarin e finales dhe synon të shkruajë një tjetër faqe të artë në historinë e saj, duke kërkuar yllin e dytë në fanellë pas atij të vitit 2010.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco