Finalja e Kupës së Botës 2026 ka ndezur entuziazmin e tifozëve, por edhe zemërimin e tyre për shkak të çmimeve marramendëse të biletave. Shumë tifozë spanjollë kanë reaguar me indinjatë, pasi hyrja më e lirë për ndeshjen finale në stadiumin MetLife të New Jersey kushton aktualisht 4.451 euro.
Sipas platformës SeatPick, çmimi i biletës më të shtrenjtë ka arritur deri në 188.803 euro, ndërsa në platformën zyrtare të rishitjes të mbikëqyrur nga FIFA janë shfaqur madje oferta që kanë prekur shifrën e dy milionë eurove, edhe pse nuk është konfirmuar nëse janë shitur.
Situata ka shkaktuar reagime edhe nga presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzán, i cili e cilësoi këtë fenomen të papranueshëm.
"Është diçka që nuk mund të lejohet. Ka shumë tifozë spanjollë të klasës së mesme dhe të ulët që bëjnë sakrifica të mëdha për të qenë këtu. Mes çmimeve të biletave, fluturimeve dhe hoteleve, që kushtojnë mbi 800 euro për natë, ndjekja e finales është bërë pothuajse e pamundur", deklaroi ai.
Louzán theksoi gjithashtu se çmimet ndryshojnë vazhdimisht sipas kërkesës, njësoj si tarifat e fluturimeve, duke i bërë ato edhe më të papërballueshme për tifozët.
Sipas të përditshmes franceze L'Equipe, FIFA kishte parashikuar fillimisht katër kategori çmimesh për biletat e Botërorit: 800, 3.600, 5.500 dhe 11.000 dollarë. Megjithatë, me afrimin e finales dhe rritjen e kërkesës, vlerat janë rritur ndjeshëm, duke e kthyer ndeshjen për titull në një luks të rezervuar vetëm për pak tifozë.
© SYRI.net