Erling Haaland ka habitur me deklaratën e tij pas eliminimit të Norvegjisë nga Kupa e Botës 2026.
Sulmuesi i Manchester Cityy pranoi se dëshiron që Anglia të shpallet kampione e botës, pavarësisht se ishte pikërisht ajo që i dha fund ëndrrës së norvegjezëve në çerekfinale.
Norvegjia u mposht 2-1 nga Anglia pas kohës shtesë në Miami, edhe pse kishte kaluar e para në avantazh me Andreas Schjelderup.
Jude Bellingham realizoi dy gola për "Tre Luanët", duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale.
Pas ndeshjes, Haaland shpjegoi se lidhja e tij me Anglinë është e veçantë.
Sulmuesi ka lindur në Leeds, ku babai i tij, Alf-Inge Haaland, luante për Leeds United.
"Po, pse jo? Kam shumë shokë te Manchester City që luajnë për Anglinë, por edhe miq që luajnë për Francën dhe Spanjën. Natyrisht që dua ta shoh Anglinë të ecë përpara", deklaroi Haaland.
Ai zbuloi edhe një detaj interesant nga fëmijëria.
"Kam bërë tifo për Anglinë prej shumë kohësh. Madje, kur isha i vogël, mora fanellën e Anglisë përpara se të merrja atë të Norvegjisë. Është një vend i bukur dhe më pëlqen fanella e tyre", shtoi sulmuesi.
Pavarësisht eliminimit, Haaland u shpreh krenar për paraqitjen e Norvegjisë në Botërorin 2026. Ai beson se skuadra e tij ka treguar se mund të rivalizojë me kombëtaret më të mëdha në botë.
"Kemi treguar se mund të jemi një nga kombëtaret më të mira në botë. I dhamë Anglisë një ndeshje shumë të fortë dhe largohemi me kokën lart. Jam krenar për gjithçka që kemi arritur."
Haaland e mbylli turneun me shtatë gola, duke mbetur në garë për "Këpucën e Artë" së bashku me emra si Kylian Mbappé, Lionel Messi dhe Harry Kane.
© SYRI.net