Franca është sërish në gjysmëfinalen e Kupës së Botës dhe trajneri Didier Deschamps nuk e fshehu krenarinë pas fitores bindëse ndaj Marokut. Tekniku francez theksoi se skuadra e tij ka vetëm një objektiv: fitimin e titullit botëror.
"Jam shumë krenar. Të jesh tri herë radhazi në gjysmëfinalen e Kupës së Botës nuk është diçka e zakonshme. Edhe pas penalltisë së humbur dhe rasteve të shpërdoruara, nuk pashë asnjë moment dyshimi te lojtarët e mi", deklaroi Deschamps.
Trajneri vlerësoi mënyrën se si Franca kontrollon ndeshjet dhe vështirësitë që u krijon rivalëve.
"Kundërshtari duhet të vrapojë shumë kur ne kemi topin. Ata lodhen dhe krijojnë më shumë hapësira. Ne dimë t'i asfiksojmë kundërshtarët dhe t'i detyrojmë të gabojnë. Kur Franca ka topin, rivalët ndihen në vështirësi dhe kanë frikë", u shpreh ai.
Deschamps foli edhe për atmosferën brenda grupit, duke theksuar se suksesi vjen nga uniteti i skuadrës.
"Merita u takon lojtarëve. Disa luajnë më shumë, të tjerë më pak, por të gjithë janë pjesë e së njëjtës aventurë. Atmosfera në ekip është fantastike dhe kjo reflektohet në fushë."
Tekniku francez kritikoi edhe vonesën e sistemit VAR gjatë penalltisë së Kylian Mbappé.
"Jam dakord që pritja ishte shumë e gjatë. U deshën gati dy minuta për kontrollin dhe kjo mund të ndikojë te një futbollist që është gati të godasë penalltinë."
Deschamps nuk kurseu fjalët e mira as për Marokun, duke e cilësuar si një skuadër me një të ardhme të ndritur.
"Kam shumë respekt për këtë ekip. Përveç Hakimit, pjesa tjetër janë lojtarë të rinj me shumë potencial. Maroku do të vazhdojë të rritet."
Në fund, trajneri francez theksoi se Franca nuk e konsideron ende të arritur misionin.
"Jemi vetëm në gjysmëfinale. Nuk duhet të mendojmë se kemi fituar gjithçka. Ka edhe një hap drejt finales dhe më pas objektivi ynë është vetëm një: të fitojmë Kupën e Botës dhe të sjellim yllin e tretë në fanellën e Francës."
© SYRI.net