Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka konfirmuar se pas përfundimit të Kupës së Botës 2026 do të shqyrtohet seriozisht mundësia e zgjerimit të turneut nga 48 në 64 kombëtare, një lëvizje që mund të sjellë një tjetër ndryshim historik në futbollin botëror.
Infantino e cilësoi formatin aktual me 48 ekipe si një sukses të madh, duke theksuar se niveli i konkurrencës ka qenë i lartë dhe se përfaqësueset nga të gjitha kontinentet kanë dëshmuar se meritojnë të jenë pjesë e skenës më të madhe të futbollit.
“Një turne me 48 kombëtare ka rezultuar jashtëzakonisht i suksesshëm. Të gjitha ekipet kanë treguar një nivel të lartë loje. Kombëtaret nga çdo kontinent kanë shënuar gola dhe kanë arritur të marrin të paktën një pikë”, u shpreh kreu i FIFA-s.
Ai veçoi edhe paraqitjen e shkëlqyer të skuadrave afrikane në Botërorin 2026, duke bërë të ditur se nëntë nga dhjetë përfaqësueset e kontinentit siguruan kualifikimin në fazën me eliminim direkt.
Sipas Infantinos, ky është një tregues i qartë se futbolli po bëhet gjithnjë e më konkurrues në nivel global dhe se më shumë vende duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në Kupën e Botës.
I pyetur për mundësinë e zhvillimit të një Botërori me 64 ekipe, presidenti i FIFA-s nuk e përjashtoi idenë.
“Pa dyshim që kjo çështje do të shqyrtohet pas përfundimit të këtij Botërori. Duhet të mendojmë për të gjithë botën, jo vetëm për Evropën dhe Amerikën e Jugut. Çdo vend duhet të ketë mundësinë të realizojë ëndrrën për të marrë pjesë në Kupën e Botës”, deklaroi ai.
Kujtojmë se FIFA e zgjeroi turneun nga 32 në 48 kombëtare për edicionin 2026. Nëse miratohet edhe zgjerimi në 64 ekipe, Kupa e Botës do të pësojë transformimin më të madh në historinë e saj.
© SYRI.net