Matematikani gjerman, Joachim Klement, i njohur për parashikimet e tij të sakta në Kupën e Botës, ka humbur këtë herë bastin e madh. Pasi kishte gjetur me sukses kampionët e tri edicioneve të fundit të Botërorit, Gjermaninë në vitin 2014, Francën në vitin 2018 dhe Argjentinën në vitin 2022, ai kishte parashikuar se Holanda do të fitonte trofeun në vitin 2026.
Megjithatë, rrugëtimi i holandezëve përfundoi shumë më herët nga sa pritej. Holanda u eliminua që në fazën e 1/16-ave, pasi u mposht nga Maroku pas goditjeve të penalltive, duke bërë që parashikimi i Klement të rezultonte i gabuar.
Modeli matematikor i përdorur nga studiuesi gjerman bazohet në një sërë faktorësh, si Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit, numri i popullsisë, rëndësia e futbollit në shoqëri, renditja në FIFA dhe një element fati. Sipas projeksionit të tij para nisjes së turneut, gjysmëfinalet do të ishin Portugali–Angli dhe Holandë–Spanjë, ndërsa në finale "Tulipanët" do të triumfonin ndaj Portugalisë së Cristiano Ronaldos.
Megjithatë, vetë Klement kishte paralajmëruar se futbolli mbetet i paparashikueshëm. Ai kishte deklaruar se rezultatet në fushë janë "irracionale" dhe se turneu është si një lotari, duke shtuar se askush nuk duhet të vendosë baste vetëm mbi bazën e parashikimeve të tij, pavarësisht suksesit në tri edicionet e mëparshme.
Ndërkohë, reagimet nuk kanë munguar. Neymar iu përgjigj me humor matematikanit gjerman, pasi ky i fundit kishte parashikuar edhe eliminimin e Brazilit nga Japonia në fazën e 1/16-ave. Sulmuesi brazilian, me një dozë ironie, shkroi: "Zoti Joachim Klement, provoje përsëri në Kupën e ardhshme të Botës."
Sr. Joachim klement … favor tentar na próxima copa 😉
— Neymar Jr (@neymarjr) June 29, 2026
© SYRI.net