Një detaj i pazakontë ka tërhequr vëmendjen në ceremonitë para ndeshjeve të Botërorit 2026, ku flamuri i Arabisë Saudite nuk vendoset mbi fushën e lojës si ai i vendeve të tjera gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare.
Sipas organizatorëve, ky përjashtim lidhet me arsye fetare. Flamuri i Arabisë Saudite përmban Shahada-n, një deklaratë besimi islamik që konsiderohet një nga shtyllat kryesore të Islamit. Për shkak të këtij simboli të shenjtë, flamuri nuk duhet të prekë tokën apo ujin, ndaj FIFA ka vendosur një protokoll të veçantë për respektimin e tij.
Sipas ceremonisë së re të FIFA-s për këtë turne, lojtarët titullarë dhe rezervat e të dyja skuadrave rreshtohen në qendër të fushës gjatë himneve, ndërsa flamujt e dy vendeve shfaqen në stadium. Megjithatë, në rastin e Arabisë Saudite, flamuri mbahet i ngritur dhe nuk vendoset në kontakt me terrenin e lojës.
Ky rregull aplikohet në mënyrë të njëjtë edhe për kundërshtarët, për arsye vizuale dhe uniformiteti të ceremonisë. Në ndeshjen hapëse, edhe flamuri i Uruguait është mbajtur në të njëjtën mënyrë, ndërsa i njëjti protokoll do të ndiqet edhe në sfidën ndaj Spanjës.
FIFA ka futur gjithashtu risi të tjera në ceremonitë para ndeshjeve, si harkun hyrës dhe një panel në mesin e fushës për të përfshirë më shumë atmosferën e stadiumit, ndërsa në fazat me eliminim direkt priten edhe efekte me tym shumëngjyrësh dhe fishekzjarrë.
© SYRI.net