Lamine Yamal ka shkruar për herë të parë emrin e tij në historinë e Kupës së Botës. Në debutimin e tij si titullar në një Botëror, talenti i ri i Barcelonës arriti të shënonte gol për Spanjën ndaj Arabisë Saudite, duke konfirmuar pritshmëritë e mëdha që e shoqërojnë si një nga ‘yjet’ më premtues të futbollit botëror.
Në moshën 18 vjeç e 343 ditë, Yamal është bërë lojtari i tetë më i ri në histori që shënon në një Kupë Bote, duke kaluar edhe Lionel Messin, i cili kishte shënuar në Botërorin 2006 në moshën 18 vjeç e 358 ditë.
Me këtë realizim, talenti spanjoll është gjithashtu lojtari i dytë më i ri që shënon për Spanjën në një Botëror, pas Gavit, i cili kishte shënuar në Botërorin 2022 kundër Kosta Rikës në moshën 18 vjeç e 110 ditë.
Performanca e tij në ndeshjen e parë si titullar në një turne të madh konfirmon statusin e tij si një “predestinato” i futbollit modern, duke i dhënë Spanjës një tjetër dimension në fazën sulmuese dhe duke e vendosur Yamal në qendër të vëmendjes botërore.
© SYRI.net