Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, ka kërkuar që të ulen pritshmëritë dhe krahasimet e vazhdueshme rreth Lamine Yamalit, duke theksuar se talenti i Barcelonës duhet të lejohet të zhvillohet pa presionin e krahasimeve me legjendat e futbollit.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së radhës në Botëror, trajneri spanjoll u shpreh qartë se krahasimi i 18-vjeçarit me Lionel Messin apo Diego Armando Maradonën është i parakohshëm.
“Gabimi më i madh do të ishte ta krahasosh me Messin ose Maradonën. Ai është ende në proces formimi dhe pjekurie. Po flasim për një futbollist 18-vjeçar që e ka një pjekuri të jashtëzakonshme për moshën e tij”, deklaroi De La Fuente.
Trajneri e vlerësoi karakterin dhe mentalitetin e Yamalit, duke shtuar se ai po përballet çdo ditë me sfida gjithnjë e më të mëdha.
“Duhet ta lëmë ta ndjekë rrugën e tij. Çdo ditë bëhet më e vështirë për të, sepse të gjithë presin gjithnjë e më shumë. Por ai është gati për këtë përgjegjësi”, tha ai.
De La Fuente shkoi edhe më tej në vlerësimin e talentit të sulmuesit, duke e krahasuar me gjeni të fushave të tjera.
“Gjenitë janë të tillë. Edhe Dalí dhe Michelangelo ishin gjeni. Ajo që për ne duket e jashtëzakonshme, për të është normale”, theksoi përzgjedhësi i Spanjës.
Yamal vazhdon të jetë një nga emrat më të përfolur të futbollit botëror, por trajneri spanjoll beson se rruga më e mirë për zhvillimin e tij është larg krahasimeve me ikonat e së kaluarës dhe me fokus të plotë te ndërtimi i identitetit të vet në futboll.
© SYRI.net