Ish-presidenti legjendar i Bayern Munich, Uli Hoenes, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Botërorit 2026 që po zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, duke e cilësuar turneun si një “dështim të madh” për futbollin.
Në një intervistë për mediet gjermane, 74-vjeçari u shpreh i revoltuar me çmimet e larta të biletave, të cilat sipas tij kanë larguar tifozët e zakonshëm nga stadiumet.
“Jam i bindur se kjo Kupë Bote do të mbahet mend si një fiasko e madhe. Të paguash 2 mijë dollarë për të parë një ndeshje është çmenduri. Kur do të marrë fund ky makth?”, deklaroi ai.
Hoenes theksoi se nuk është kundër fitimeve në futboll, por mendon se komercializimi ka kaluar çdo kufi të arsyeshëm. Sipas tij, sporti po humbet identitetin e vet për shkak të interesave financiare.
“Jam pro komercializimit, por jo në këtë nivel. Nuk kam ndër mend ta mbështes këtë model duke blerë bileta me çmime stratosferike”, u shpreh ish-drejtuesi bavarez.
Ai zbuloi gjithashtu se nuk ka asnjë dëshirë të udhëtojë drejt SHBA-së për të ndjekur nga afër ndeshjet e Botërorit, edhe pse do të kishte mundësi të qëndronte falas te miqtë e tij në Florida. Hoenes tha se interesi i tij për këtë turne është zhdukur plotësisht, duke e konsideruar organizimin aktual larg frymës tradicionale të futbollit.
Deklaratat e tij pritet të ndezin debat në botën e futbollit, pasi gjithnjë e më shumë zëra po kritikojnë kostot e larta që po shoqërojnë Botërorin 2026.
© SYRI.net