Uganda shpall fundin e epidemisë së “Ebola”, vendi zyrtarisht pa raste

Uganda shpall fundin e epidemisë së “Ebola”, vendi zyrtarisht pa raste

15:39, 28/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Uganda ka shpallur zyrtarisht fundin e shpërthimit të epidemisë së Ebola, pasi përfundoi periudha e detyrueshme 42-ditore e monitorimit pa u regjistruar asnjë rast i ri.

Ministri i Shëndetësisë, Chris Baryomunsi, njoftoi të martën se vendi është tashmë pa Ebola, duke konfirmuar se nuk janë raportuar infektime të reja që nga muaji qershor, kur pacienti i fundit u lirua nga karantina.

“Ministria e Shëndetësisë ka kënaqësinë të njoftojë se Uganda ka shpallur zyrtarisht fundin e shpërthimit të Sëmundjes Ebola në vitin 2026. Uganda është pa Ebola”, deklaroi Baryomunsi në një konferencë për mediat në Kampala.

Shpallja vjen pasi u përmbush afati prej 42 ditësh, i cili konsiderohet standard ndërkombëtar për të konfirmuar përfundimin e një epidemie të Ebola-s.

Në muajin maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e kishte shpallur shpërthimin e Ebolës në Ugandë si emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.

Sipas autoriteteve, shpërthimi, i shkaktuar nga lloji Bundibugyo i virusit Ebola, infektoi 20 persona dhe shkaktoi dy viktima. Ky variant u identifikua për herë të parë në Ugandë në vitin 2007 dhe aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim specifik.

Ebola është një sëmundje virale e rëndë, shpesh fatale, që transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të personave të infektuar ose me materiale të kontaminuara.

Simptomat përfshijnë ethe, të vjella, diarre, dobësi të fortë, dhimbje muskulore dhe, në rastet më të rënda, gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme.

Virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1976 dhe besohet se e ka origjinën nga kafshët e egra, veçanërisht lakuriqët e natës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco