Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë deklarata të reja lidhur me territoret perëndimore të Ukrainës, duke pretenduar se ato mund t’u rikthehen në të ardhmen vendeve që, sipas tij, i kanë zotëruar historikisht.
Gjatë një deklarate, Putin tha se disa zona të Ukrainës perëndimore iu bashkëngjitën shtetit ukrainas nga lideri sovjetik Joseph Stalin pas Luftës së Dytë Botërore, në kuadër të Bashkimit Sovjetik.
Ai u shpreh se Stalini nuk e kishte parashikuar një situatë si ajo e sotmja, ndërsa pretendoi se Ukraina “herët ose vonë” do t’i humbasë këto territore. Sipas presidentit rus, zonat që dikur i përkisnin Polonisë, Hungarisë dhe Rumanisë “do të kthehen historikisht në vendin e tyre”.
Putin përsëriti gjithashtu pretendimin e tij se Rusia nuk e ka nisur luftën në Ukrainë, duke deklaruar se Moska po i përgjigjet, sipas tij, veprimeve të Ukrainës të mbështetura nga Perëndimi.
Deklaratat e presidentit rus vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë vijon, ndërsa çështja e territoreve mbetet një nga temat më të ndjeshme në çdo përpjekje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.
© SYRI.net