Lajmi i fundit

LIVE/ Revolta kundër kryeministrit Edi Rama në ditën e 57, qytetarët sërish në tubim

I dyshuari për sulmin ndaj Berlin, qëllohet dhe vritet gjatë operacionit policor

I dyshuari për sulmin ndaj Berlin, qëllohet dhe vritet gjatë operacionit policor

20:04, 26/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I dyshuari për sulmin gjatë Paradës së Krenarisë në Berlin është vrarë nga policia gjermane, konfirmuan autoritetet e kryeqytetit gjerman. Ngjarja ndodhi në zonën Spandau, në perëndim të Berlinit, gjatë një operacioni për kapjen e autorit të dyshuar.

Sipas policisë, personi i identifikuar si Abdul Ballout u lokalizua në një kompleks kopshtesh rreth orës 18:00 dhe u qëllua pasi dyshohet se u sul drejt forcave të ndërhyrjes me një armë të ftohtë. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai ndërroi jetë në vendngjarje.

Autoritetet gjermane bëjnë me dije se Ballout dyshohet se ishte autori i sulmit të ndodhur pranë Parkut Tiergarten, ku një automjet u drejtua drejt njerëzve dhe më pas disa persona u sulmuan me mjete të mprehta. Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt deklaroi se ka indikacione se bëhet fjalë për një sulm me motiv terrorist islamist, ndërsa sipas tij në sulm dyshohet se është përdorur edhe një hanxhar.

Sipas hetuesve, Ballout ishte shtetas gjerman me origjinë libaneze dhe kishte një histori të mëparshme përplasjesh me drejtësinë. Ai ishte dënuar më herët për përgatitjen e një akti të rëndë dhune që rrezikon sigurinë e shtetit, por ekzekutimi i dënimit ishte shtyrë.

Prokuroria gjermane ka bërë të ditur se Ballout kishte publikuar materiale propagandistike të ndaluara të Shtetit Islamik në rrjetet sociale në vitin 2024 dhe dyshohej se kishte zhvilluar synimin për t’iu bashkuar luftës së armatosur të ISIS. Në vitin 2025 ai kishte udhëtuar drejt Libanit përmes Turqisë me qëllimin për të shkuar në Siri dhe për t’iu bashkuar organizatës terroriste.

Pas arrestimit në Liban në korrik 2025, ai ishte dënuar me tre muaj burg për nxitje të konfliktit fetar dhe sektar. Pas kthimit në Gjermani në nëntor të po atij viti, ai u arrestua në aeroportin e Brandenburgut.

Në maj të vitit 2026, Gjykata e Qarkut Tiergarten e dënoi me 1 vit e 10 muaj burg për “përgatitjen e një akti të rëndë dhune që rrezikon shtetin”, por vendimi ishte shtyrë për gjashtë muaj.

Pak javë para sulmit, në fillim të korrikut, banesa e tij në Berlin ishte kontrolluar nga autoritetet për dyshime për shkelje të ligjit për armët, por gjatë kontrollit ishte gjetur vetëm një armë lodër.

Hetimet për motivet dhe dinamikën e plotë të sulmit vijojnë, ndërsa autoritetet gjermane po analizojnë lidhjet e mundshme të të dyshuarit me organizata ekstremiste.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco