Presidenti Donald Trump deklaroi sot se iranianët po ‘kërkojnë lirinë”, teksa protestat vijojnë të përhapen në mbarë vendin, duke shtuar se Uashingtoni është i gatshëm të ofrojë mbështetje.
“Irani po kërkon Lirinë, ndoshta si kurrë më parë,” shkroi Trump në platformën e tij të rrjeteve sociale, Truth Social duke shtuar se “SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë!!!”
Protestat në Iran kanë hyrë në ditën e katërmbëdhjetë me radhë, por ende nuk ka një informacion konkret lidhur me numrin e saktë të personave të arrestuar në qytete të ndryshme në Republikën Islamike.
Demonstratat nisën më 28 dhjetor pranë Pazarit të Madh të Teheranit dhe më pas u përhapën në disa qytete të tjera të vendit.
Të premten, Trump tha se Irani ndodhet “në telashe të mëdha” ndërsa trazirat po shtohen, duke theksuar se Uashingtoni po ndjek nga afër zhvillimet dhe duke paralajmëruar autoritetet iraniane që të mos përdorin forcë vdekjeprurëse ndaj protestuesve.
Nga ana tjetër, Irani akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se po nxisin trazirat. Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se forcat e sigurisë dhe sistemi gjyqësor “nuk do të tregojnë asnjë tolerancë ndaj sabotatorëve”.
Agjencia e lajmeve për të drejtat e njeriut (HRANA), e cila mbulon zhvillimet që lidhen me të drejtat e njeriut, ka raportuar se të paktën 2.311 persona janë arrestuar në 13 ditët e para të protestave dhe se demonstrata janë regjistruar në 512 lokacione në 180 qytete dhe qyteza, teksa interneti është ndërprerë pothuajse plotësisht në Iran.

© SYRI.net