Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

09:13, 15/05/2024
A+ Aa A-

Gaza/ OKB thotë se është vrarë punonjësi i saj

Image

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se një prej anëtarëve të stafit ka gjetur vdekjen dhe një tjetër është plagosur teksa udhëtonin për të shkuar në një spital në jug të Gazës. OKB u shpreh se punonjësit po udhëtonin me një makinë të organizatës kur u goditën, por pa përmendur nëse sulmin mund ta kenë kryer forcat izraelite apo Hamasi.

Në pamjet që ka siguruar BBC, tregohet makina e OKB, e mbushur me vrima plumbash. Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, António Guterres, u shpreh “thellësisht i pikëlluar” për ngarjen dhe u dërgoi ngushëllime familjarëve të viktimës.

SHBA i bën thirrje Iranit të mos mbështesë më rebelët Houthi

Image

SHBA i ka bërë thirrje Iranit që të ndalë furnizimin “e paprecedentë” me armë të rebelëve Houthi, në Jemen. Këta rebelë, përmes armëve, kryejnë sulme të shumta dhe kanë shkaktuar disa vdekje dhe trazira.

Sipas zëvendësambasadorit amerikan, Robert Wood, Këshilli i Kombeve të Bashkuara, do të bëjë përparim dhe t’i japë fund luftës civile në Jemen, por duhet që Irani të mos luajë më rol në destabilizimin e rajonit. Ai u shpreh se prova të shumta vërtetojnë se Irani furnizon rebelët me armë të avancuara, duke përfshirë raketa balistike dhe lundruese. Kjo mbështetje është në kundërshtim me sanksionet e vendosura nga OKB.

Antony Blinken viziton Ukrainën

Image

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Ukrainë, në një vizitë të papritur, ku do të takohet me zyrtarë të lartë në vend dhe do të riafirmojë edhe njëherë mbështetjen që SHBA i jep Ukrainës.

Blinken u takua me kryeministrin dhe presidentin ukrainas, si dhe me ministrin e Jashtëm, për të diskutuar për të rejat nga fushëbeteja, ndikimin që paketa e ndihmës nga SHBA po i jep Ukrainës dhe për ekonominë e vendit.

Protestuesit izraelitë bllokojnë kamionët e ndihmave që duhet të niseshin për Gaza

Image

Protestuesit izraelitë kanë bllokuar kamionët e ndihmave që ishin të destinuara për të shkuar në Gaza dhe kanë vandalizuar ndihmat, duke i hedhur në rrugë, apo duke çarë thasët me grurë. Ngjarja ndodhi në Bregun Perëndimor, territor i pushtuar nga Izraeli.

Kamionët ishin vendosur në pikën e kontrollit Tarqumiya dhe ishin nisur nga Jordania, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të urritur në Gaza. SHBA dënoi sulmin, ndërsa protestuesit argumentuan se po demonstrohej kundër ndalimit të rikthimit të pengjeve izraelitë, të cilët janë rrëmbyer nga Hamasi qysh prej 7 tetorit. Në videot e mëvonshme, shfaqeshin kamionët të pushtuar nga flakët.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco