Rusët bombardojnë supermarketin e mbushur plot në Kharkiv, vriten 11 persona

Rusët bombardojnë supermarketin e mbushur plot në Kharkiv, vriten 11 persona

08:08, 26/05/2024
A+ Aa A-

Të paktën 11 persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur pasi forcat ruse goditën një supermarket në qytetin verior të Ukrainës, Kharkiv me dy bomba rrëshqitëse, thonë zyrtarët lokalë.

Një zjarr i madh mund të shihej në supermarketin Epicentr K në periferi të qytetit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbi 200 persona mund të kishin qenë brenda supermarketit kur u sulmua.

Të dielën, guvernatori i Kharkiv, Oleh Syniehubov tha se numri i të vdekurve kishte shkuar në 11.

Më herët ai kishte thënë se gjashtë persona “vdiqën në vend”, 40 të tjerë u plagosën dhe 16 persona mbetën të zhdukur.

Kryetari i bashkisë së Kharkiv, Ihor Terekhov tha: "Një numër i madh njerëzish janë të zhdukur. Ky është terrorizëm i pastër."

Presidenti Zelensky shtoi: "Kjo goditje në Kharkiv është një tjetër manifestim i çmendurisë ruse.

"Vetëm të çmendurit si [presidenti rus Vladimir] Putin janë të aftë të vrasin dhe terrorizojnë njerëzit në këtë mënyrë."

Një sulm i dytë në qendër të Kharkiv më vonë të shtunën plagosi tetë persona, sipas Terekhov.

Sulmi nxjerr në pah ankthin që ndiejnë ukrainasit për mungesën e mbrojtjes ajrore të përshtatshme.

Zelensky përsëriti se Ukraina duhej të ishte në gjendje të mbrohej dhe kishte nevojë për sisteme të mbrojtjes ajrore nga aleatët perëndimorë.

Sulmi pasoi një samit në Itali ku ministrat e financave të G7 mbështetën idenë e përdorimit të fitimeve nga asetet e ngrira ruse për financim.

Sekretarja e Thesarit e SHBA, Janet Yellen tha se kishte mbështetje të gjerë për këtë idenë.

Sipas një propozimi amerikan, G7 dhe aleatët e saj do të përdorin asetet e ngrira ruse të mbajtura në bankat perëndimore si kolateral për një hua prej 50 miliardë dollarësh për Kievin. Ideja do të diskutohet më tej muajin e ardhshëm.

Rusia ka kërcënuar se do të hakmerret.

Sulmi i fundit në Kharkiv është një tjetër shenjë e besimit në rritje të Moskës. Forcat e saj duket se po përfitojnë nga një dritare mundësie për të shtyrë avantazhin e tyre, ndërkohë që Ukraina pret që armët e tjera perëndimore të mbërrijnë në front.

Bombat rrëshqitëse të tipit të përdorur në sulm janë ndërtuar duke shtuar krahë të palosshëm dhe navigim satelitor në bombat e vjetra sovjetike. Ato janë të lira, por shkatërruese.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se 3,000 bomba të tilla u hodhën në vend vetëm në mars.

Qendra për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) tha në një raport të fundit se ato ishin vendimtare në kapjen e qytetit Avdiivka në shkurt.

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco