Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë?

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë?

13:59, 28/04/2024
A+ Aa A-

Antony Blinken thotë se Kina po kontribuon në pushtimin rus në Ukrainë

Image

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar vendin e tij që të veprojë në rast se Kina nuk i ndal furnizimet me armë ndaj Rusisë, e cila i përdor ato për luftën e saj në Ukrainë. Diplomati amerikan, gjatë vizitës së tij në Pekin, e bëri të qartë se homologët e tij po ndihmonin në nxitje të kërcënimit më të madh për Europën që nga Lufta e Ftohtë.

Por, Blinken nuk harroi ta falenderonte Kinën për punën që ka bërë për parandalimin e drogës fentanyl në SHBA. Kina është një ndër transportuesit kryesorë të kësaj droge, e cila mbërrin në SHBA dhe shkakton çdo vit një numër të madh vdekjesh nga overdoza. Nga ana tjetë, Blinken përmendi edhe faktin se Kina mund të luajë një rol të rëndësishëm në Lindjen e Mesme, duke përdorur marrëdhënien me Iranin për t’i dhënë fund nisjes së një lufte mes Iranit dhe Izraelit.

Burimet nga agjencitë e inteligjencës në SHBA thonë se Vladimir Putin mund të mos e ketë porositur vdekjen e ish-opozitarit, Alexei Navalny

Image

Sipas Wall Street Journal, agjencitë e inteligjencës në SHBA janë dalë në përfundimin se me shumë gjasa, Vladimir Putin nuk fshihet pas vdekjes së mistershme të Alexei Navalny. Ai vdiq në një prej burgjeve më famëkeq, në kufi me Arktikun, në moshën 47-vjeçare.

Aleatët, përfshirë edhe gruan e tij Yulia, akuzuan Putin, por sipas një vlerësimi të fundit dhe analizave të shumë informacioneve, agjencitë e inteligjencës në SHBA nuk mendojnë se Putin e ka urdhëruar vrasjen e rivalit të tij.

Protesta në Spanjë, pas deklaratës së kryeministrit për t’u dorëhequr

Image

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez deklaroi se mund të dorëhiqej, pasi është ngritur një hetim për korrupsion ndaj bashkëshortes së tij, Begonja Gomez. Mbështetësit e tij menjëherë u mobilizuan dhe mbushën rrugët e Madridit për të kundërshtuar këtë vendim dhe për t’i kërkuar kryeministrit që të qëndrojë në detyrë.

Zëvendës kryeministrja e Spanjës, Maria Jesus Montero, u shpreh se njëjtë si protestuesit, ajo mendon se Sanchez ka aftësi për të udhëhequr Spanjën: “Një mesazh që do të kalojë muret e kësaj dhome me njerëz dhe që do të reflektojë ndjenjat e miliona qytetarëve progresivë në këtë vend. Kryeministër, qëndro! Pedro, qëndro! Ne jemi me ty”, u shpreh ajo.

Gaza/ Hamasi thotë se po shqyrton propozimin e Izraelit për armëpushim

Image

Hamasi ka dhënë një deklaratë në të cilën shprehet se është duke shqyrtuar një propozim të ri nga ana e Izraelit për armëpushimin në Gaza. Vendimi vjen pas ndërmjetësimit të Egjiptit, i cili i ka shtuar përpjekjet për të arritur një konsensus mes Izraelit dhe Hamasit, në mënyrë që të ndalen sulmet tokësore dhe ajrore ndaj popullsisë së Rripit të Gazës.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Khalil al-Hayya, tha se Hamasi është duke e vlerësuar propozimin e Izraelit dhe “sapo ta përfundojë shqyrtimin, do ta dorëzojë përgjigjen”. Ai nuk dha detaje rreth sugjerimit të Izraelit, por tha se ajo ishte përgjigje ndaj një propozimi që Hamasi e kishte bërë dy javë më parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco