Aktivisti thotë se Navalny është vrarë me teknikën e përdorur nga agjentët e KGB-së

Aktivisti thotë se Navalny është vrarë me teknikën e përdorur nga agjentët e KGB-së

15:16, 22/02/2024
A+ Aa A-

Opozitari dhe kritiku më i njohur i Vladimir Putin, Alexei Navalny ka ndërruar jetë në burgun famëkeq “Ujku Polar”. Duke qenë se autoritetet ruse nuk e dorëzojnë trupin te familjarët, zërat se ai është vrarë nga Putin, kanë nisur të shtohen gjithnjë e më shumë.

Vladimir Osechkin, aktivisti dhe themeluesi i Gulagu.net, një komunitet që mbron të drejtat e njeriut, është shprehur se Nalvany është vrarë me teknikën “one-punch” (“një grusht”). Sipas tij, opozitari ka pasur të nxira në kokë dhe në kraharor dhe kjo lidhet me teknikën e përdorur nga agjentët e KGB*-së.

KGB* - Shkurtesa në gjuhën ruse për Komitetin e Sigurimit të Shtetit. KGB ishte agjencia kryesore e sigurisë së brendshme për Bashkimin Sovjetik nga viti 1954 deri në 1991, kur u shpërbë.

Sipas Osechkin, Alexei është vrarë sipas metodës së vjetër të përdorur nga forcat speciale të një divizioni në KGB. “Ata stërvitën agjentët që të vrisnin një burrë me një grusht në zemër, në qendër të trupit. Ka qenë teknika më e njohur e KGB-së”.

Ai thotë se për ta finalizuar planin për vrasjen sipas metodës “një grusht”, Navalny, 47 vjeç, është mbajtur në të ftohtin ekstrem të hapësirës së jashtme të burgut për më shumë se 2 orë, që trupi i tij të dobësohet.

“Mendoj se fillimisht ata e shkatërruan trupin e tij duke e mbajtur në të ftohtë për një kohë të gjatë, që qarkullimi i gjakut të shkonte në minimum. Më pas, është shumë e thjeshtë ta vrasësh një njeri, ndodh me sekonda”, shtoi aktivisti.

Image

Navalny ndërroi jetë rreth një javë më parë në burgun që ndodhet pranë Arktikut. Menjëherë, krerët e shtetit, rusët dhe familjarët e opozitarit akuzuan Vladimir Putin, për vrasjen e Navalny-t. Sipas shërbimit të burgut, Navalny ndërroi jetë pasi u ndje keq pas një shëtitjeje.

Bashkëshortja e opozitarit, Yulia, akuzoi presidentin rus, duke thënë se ka helmuar Alexei-n me Novichok – një agjent nervor, i cili u përdor më parë për të helmuar Navalny-n, por falë ndihmës së shpejtë, ai i shpëtoi atentatit. Ngjarja ndodhi më 20 gusht 2020.

Megjithatë, Osechkin u shpreh: “Është e mundur, sigurisht, por kur dikush ndodhet nën kontrollin e sistemit të burgut, ka shumë opsione për ta vrarë. Novichok mund të lërë gjurmë në trupin e tij dhe mund të lidhet me Putin direkt, duke marrë parasysh që ai e ka tentuar këtë mënyrë më parë”.

Nga ana tjetër, Kremlini ka mohuar që Rusia dhe presidenti Putin të ketë lidhje me vdekjen e të ndjerit, duke i quajtur pretendimet “të pabaza dhe të pasjellshme”, ndërkohë që trupi i opozitarit ende nuk i është dorëzuar familjes dhe është thënë se për 2 javë, do të kryhen analiza të detajuara.

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco