Blinken nga Tel Avivi: Tani është koha për armëpushim! Njerëzit në Gaza po vuajnë

Blinken nga Tel Avivi: Tani është koha për armëpushim! Njerëzit në Gaza po vuajnë

08:40, 02/05/2024
A+ Aa A-

Në një takim me presidentin izraelit, Isaac Herzog në Tel Aviv, Blinken tha se “koha është tani” për të vepruar lidhur me propozimin për armëpushim.

Zyrtari amerikan u takua gjithashtu me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilit i bëri thirrje për të mundësuar dërgimin e më shumë ndihmave në Gazë.

“Ndërsa vazhdojmë pa ndërprerje përpjekjet e vendosura për të arritur armëpushimin që do t’i kthente pengjet në shtëpitë e tyre, ne duhet të përqendrohemi gjithashtu tek njerëzit në Gazë që po vuajnë nga ky konflikt i shkaktuar nga Hamasi”, tha ai.

Diplomati i lartë amerikan i ka bërë vazhdimisht thirrje Hamasit të pranojë propozimin e armëpushimit gjatë udhëtimit të tij të fundit në rajon që përfshinte edhe ndalesa në Arabinë Saudite dhe Jordani.

Vizita e tij në Tel Aviv është ndalesa e fundit e këtij udhëtimi, i shtati që kur filloi kriza pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Presidenti Herzog tha se kthimi i pengjeve të mbajtura nga Hamasi “është dhe duhet të jetë përparësia kryesore e komunitetit ndërkombëtar”.

Pas takimit, Blinken foli me familjet e pengjeve që po demonstronin jashtë, të cilët mbanin shenja dhe hidhnin slogane për kthimin e pengjeve.

“Sjellja e të dashurve tuaj në shtëpi është në qendër të gjithçkaje që po përpiqemi të bëjmë”, tha ai.

Hamasi besohet se ende mban rreth 100 pengje, së bashku me eshtrat e rreth 30 të tjerëve, pasi mori peng rreth 250 persona në sulmin e 7 tetorit në Izrael, ku militantët vranë 1200 persona.

Kundërofensiva e Izraelit në Gazë ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 34,500 personave, rreth dy të tretat e tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që kontrollohet nga Hamasi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco