FBI-ja 'ka gjetur kokainë në këllëfin e armës së Hunter Biden-it'

FBI-ja 'ka gjetur kokainë në këllëfin e armës së Hunter Biden-it'

13:38, 17/01/2024
A+ Aa A-

FBI-ja ka gjetur kokainë në një këllëf arme në pronësi të Hunter Biden, sipas dokumenteve të gjykatës. Agjentët testuan klinikisht një këllëf lëkure të cilin Biden e kishte përdorur për të mbajtur revolverin e kalibrit 0,38 Colt Cobra.

Djali i presidentit amerikan është akuzuar për posedim të paligjshëm të armës dhe me dy akuza për deklarata të rreme kur e bleu atë, pasi pretendoi se ai nuk përdorte drogë ilegale në atë kohë.

Biden dyshohet se e bleu pistoletën në tetor të vitit 2018, por Hallie Biden – partnerja e tij e atëhershme dhe e veja e vëllait të tij Beau – e hodhi në një kosh plehrash pas një marketi në Delaware 11 ditë më vonë. Më pas Colt-in e gjeti një burrë i moshuar teksa po kontrollonte mbeturinat.

Pesë vjet më vonë, agjentët e FBI-së e nxorën armën nga depoja e policisë për ta fotografuar para gjyqit.

Dokumentet e paraqitura nga prokurori special David Weiss, prokurori i Delaware-it që po ndjek çështjen, thonë se ata gjetën pluhur të bardhë në këllëf.

"Kokaina u gjet aty ku mbahej arma"

Image

"Një kimist i FBI-së më pas analizoi mbetjet dhe doli në përfundimin që ishte kokainë", thuhet në dosjet gjyqësore. "Për të qenë të qartë, hetuesit gjetën drogë në çantën ku i pandehuri kishte mbajtur armën e tij."

Ekipi ligjor i zotit Biden po përpiqet të hedhë poshtë akuzat për armëmbajtje. Ata thonë se zoti Weiss "iu dorëzua presionit politik" për të ngritur akuzat, një pretendim për të cilin prokuroria thotë se nuk ka prova. Në kundërshtimin e tij, Weiss tha se libri i vetë zotit Biden, "Beautiful Things", përmendte herë pas here që ai ishte përdorues droge në atë kohë.

Akuzat parashikojnë një dënim maksimal prej 25 vitesh burg. Por zakonisht nuk ka burgosje nëse nuk shoqërohen me akuza të tjera.

Marrëveshja për pranimin e fajësisë dështoi

Një marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila u ra dakord vitin e kaluar dhe më pas u rrëzua, do t'i kishte lejuar djalit të presidentit të shmangte akuzat nëse ai deklarohej fajtor për akuzat për shkelje fiskale.

Zoti Biden po përballet gjithashtu me tre akuza për krime dhe gjashtë shkelje në Los Anxheles, pasi ai u akuzua për shmangie prej 1.4 milionë dollarësh në taksa mes vitit 2016 dhe 2019./The Telegraph - Syri.net

Republikanët në Kongres kanë hapur një hetim shkarkimi lidhur me çështjet e biznesit të familjes Biden. Por nuk kanë dhënë asnjë provë se Joe Biden ka bërë ndonjë gjë të gabuar dhe ai vazhdimisht ka mohuar njohuritë ose përfshirjen në marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij.

Megjithatë, problemet ligjore të Hunter Biden-it duket se do të vazhdojnë gjatë gjithë përpjekjes së babait të tij për të fituar një mandat të dytë si president.

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco