Lufta/ Izraeli nis aksione ushtarake në disa shtete në Lindjen e Mesme

Lufta/ Izraeli nis aksione ushtarake në disa shtete në Lindjen e Mesme

17:53, 26/12/2023
A+ Aa A-

Ndërsa trupat izraelite intensifikojnë luftën në Gazë për eliminimin e Hamasit, Izraeli vazhdon të jetë objektiv i sulmeve të vazhdueshme nga drejtime të ndryshme. Përmes një paralajmërimi të martën, shefi i mbrojtjes së Izraelit tha se vendi i tij do të veprojë menjëherë ndaj atyre që guxojnë ta sulmojnë atë, ndërsa la të kuptohet se Izraeli kishte ndërmarrë veprime ndaj aktorëve në disa shtete.

Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, la të kuptohet të martën se Izraeli kishte ndërmarrë aksione në Irak, Jemen dhe Iran si kundërpërgjigje për sulmet ndaj Izraelit, ndërsa lufta me militantët palestinezë të udhëhequr nga Hamasi po zgjerohet në Rripin e Gazës dhe më tej.

“Jemi në një luftë me shumë fronte dhe po sulmohemi nga shtatë drejtime të ndryshme: Gaza, Libani, Siria, Judea dhe Samaria të Bregut Perëndimor, Iraku, Jemeni dhe Irani. Tashmë kemi reaguar dhe vepruar në gjashtë nga këto vende. Dua ta bëj të qartë se kushdo që vepron kundër nesh është një objektiv i mundshëm, nuk ka imunitet për askënd”.

Që nga shpërthimi i luftës në Gazë, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, ushtria izraelite ka thënë se ka reaguar ndaj sulmeve nga Libani dhe Siria dhe se ka bastisur militantët në Bregun Perëndimor.

Izraeli nuk është shprehur publikisht për veprime të tilla në Yemen, nga ku organizata Houthi, e lidhur me Iranin, ka goditur Izraelin me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe dronë dhe ka sulmuar anijet në Detin e Kuq.

Po ashtu, Izraeli nuk është shprehur publikisht se ka vepruar në Irak, ku një grup i armatosur pro-iranian tha javën e kaluar se kishte goditur me dronë qytetin port të Eliatit në Izrael.

Madje nuk është folur as për operacione brenda Iranit, armiku kryesor i Izraelit dhe mbështetësi kryesor i Hamasit dhe Hezbollahut në Liban.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se Izraeli nuk po ndalet dhe nuk do të ndalet deri në fitore. Ai u zotua gjatë një fjalimi në parlamentin e vendit, ndërsa familjet e më shumë se 100 pengjeve izraelite të mbajtura në Gazë mbanin parulla me kërkesat që Izraeli të arrinte sa më parë një marrëveshje për lirimin e tyre.

“Po u drejtohem nga kjo foltore trupave ushtarake si dhe familjeve dhe të afërmeve të të rrëmbyerve, ne nuk do të ndalemi deri në fitore. Sepse ky është vendi ynë dhe nuk kemi rrugë tjetër”.

Kryeministri shkoi në pjesën veriore të Rripit të Gazës të hënën për t’u takuar me ushtarët izraelitë, ku i siguroi ata se lufta do të vazhdojë derisa Hamasi të mposhtet.

“Duhet të sigurohemi që Hamasi të mos kthehet më kurrë. Kjo kërkon atë që secili prej jush kërkon, të luftoni deri në fund. Jam krenar për vendosmërinë tuaj për t’i shkuar deri në fund kësaj”, tha zoti Netanyahu.

Sulmet izraelite goditën Gazën qendrore të dielën vonë dhe të hënën. Autoritetet shëndetësore në territorin e drejtuar nga Hamasi thanë se të paktën 70 njerëz u vranë në një sulm ajror izraelit që goditi kampin e refugjatëve Maghazi./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco