Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Luftimet në Gaza vijojnë, Biden dhe Netanyahu mohojnë se SHBA po i bën presion Izraelit për armëpushim

Luftimet në Gaza vijojnë, Biden dhe Netanyahu mohojnë se SHBA po i bën presion Izraelit për armëpushim

18:17, 24/12/2023
A+ Aa A-

Më shumë se dhjetë ushtarë izraelitë janë vrarë në Gazë gjatë fundjavës, njoftoi ushtria izraelite të dielën. Luftimet e ditëve të fundit kanë qenë ndër më të ashprat që prej sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor.

Në tërësi, Izraeli thotë se ka humbur 154 që nga fillimi i kundërpërgjigjes ushtarake ndaj Hamasit në Rripin e Gazës.

Sipas të dhënave të Hamasit, që nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, deri më tani janë vrarë mbi 20 mijë palestinezë në sulmet ajrore dhe operacionin tokësor të Izraelit.

Shtëllunga tymi janë parë mbi Rripin e Gazës edhe të dielën ndërsa Izraeli po bën përpjekje që të marrë kontrollin e pjesës veriore të territorit.

Tym i dendur nga luftimet mbuloi qiellin në kufirin mes Izraelit dhe Libanit të dielën në mëngjes, ndërsa mund të dëgjoheshin shpërthimet nga pala izraelite.

Hezbollahu i mbështetur nga Irani ka goditur objektiva izraelite në kufi që nga 7 tetori, duke rritur rrezikun për përfshirjen e plotë në luftë të Hezbollahut dhe grupeve të tjera të lidhura me Iranin në të gjithë Lindjen e Mesme.

Izraeli thotë se ka humbur tetë ushtarë dhe katër civilë nga shkëmbimet e zjarrit me Hezbollahun.

Presidenti Joe Biden dhe kryeministri i Izraelit Bejnamin Netanyahu e kanë mohuar artikullin e gazetës amerikane”Wall Street Journal” se presidenti amerikan i ka bërë trysni Izraelit që ta pranojë armëpushimin në Gazë dhe të mos sulmojë Hezbollahun, pasi ekziston rreziku që grupi militant libanez të kryejë një sulm të ngjashëm me atë të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit.

“Zhvillova një bisedë të gjatë me Netanyahun. Ishte një bisedë private, por nuk i kërkova armëpushim”, tha Presidenti Biden për gazetarët ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë për në vendpushimin presidencial Camp David.

Kryeministri Netanyahu, gjatë takimit javor të kabinetit të dielën, gjithashtu e mohoi se Presidenti Biden i bëri trysni për operacionet ushtarake .

“Kam folur të shtunën në mbrëmje me Presidentin Biden. Unë kam parë publikime të rreme që pretendojnë se SHBA-të po na pengojnë në operacionet në terren; kjo nuk është e vërtetë. Izraeli është një shtet sovran. Vendimet tona mbështeten tek vlerësimet tona operacionale. Operacioni ynë nuk diktohet nga trysnitë e jashtme”, tha zoti Netanyahu.

Shtëpia e Bardhë e ka akuzuar Teheranin se është ‘thellësisht i përfshirë’ në planifikimin e operacioneve të grupit militant jemenas, Houthi për t’u përfshirë në luftën Izrael – Hamas dhe po i mbështet grupet që sulmojnë bazat amerikane në Lindjen e Mesme. Por ministri i jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, i mohoi akuzat e Uashingtonit.

“Në një moment, amerikanët na kërkuan që ta këshillojmë Jemenin që të mos veprojë kundër amerikanëve dhe madje edhe kundër regjimit izraelit. Ne u thamë se Jemeni ka vendosur vet se si duan të ndërhyjnë në çështjen e Gazës. Ne nuk i kemi urdhëruar kurrë që të bëjnë gjë, por gjithashtu nuk do t’i urdhërojmë kurrë që të ndalojnë sulmet e tyre”, tha kryediplomati iranian.

Luftimet në Lindjen e Mesme dhe numri në rritje i viktimave kanë bërë që Krishtlindjet këtë vit të priten pa atmosferë festive në Betlehem, vendin e lindjes së Jezusit.

Të krishterët përbëjnë rreth 2% të popullsisë në të gjithë Izraelin dhe territoret e pushtuara palestineze, sipas një fushate të organizuar nga krerët e kishave në Jerusalem.

“Është një Krishtlindje shumë e trishtueshme pa atmosferë feste sepse jemi në luftë. Ne jemi këtu për t’u lutur, jo vetëm për armëpushim. Ne duhet t’i ndalojmë këto armiqësi. Mesazhi i Krishtlindjes nuk është dhuna, është paqja”, thotë patriarku i Jerusalemit, Pierbattista Pizzaballa./ VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco