Pas Hamasit, Izraeli i vë syrin rebelëve Houthi: Do t'i godasim nëse komuniteti ndërkombëtar dështon

Pas Hamasit, Izraeli i vë syrin rebelëve Houthi: Do t'i godasim nëse komuniteti ndërkombëtar dështon

09:22, 10/12/2023
A+ Aa A-

Shfarosja e Hamasit dhe beteja për të frenuar Hezbollaun në Veri nuk janë prioriteti i vetëm i Izraelit.

Edhe pse shkatërrimi i krahut të armatosur të palestinezëve në Gaza është shndërruar që prej sulmit të 7 tetorit në objektivin që duhet përmbushur, në Tel Aviv tashmë i kanë kthyer sytë nga një tjetër grup terrorist.

Këshilltari i sigurisë kombëtare, Tzachi Hanegbi ka paralajmëruar botën se Izraeli është i përgatitur të veprojë kundër rebelëve Houthi në Jemen, të cilët me rrëmbimet e anijeve janë duke penguar transportin në Detin e Kuq.

Sipas Hanegbi një lëvizje nga Tel Avivi do të ishte e mundur nëse komuniteti ndërkombëtar dështon ta bëjë këtë.

"Kryeministri Benjamin Netanyahu ka me presidentin e SHBA-së Joe Biden si dhe me liderët evropianë rreth Houthi-ve që synojnë anijet tregtare me lidhje të supozuara izraelite. Izraeli po i jep botës pak kohë për t'u organizuar për ta parandaluar këtë, por nëse nuk do të ketë një marrëveshje globale, sepse është një çështje globale, ne do të veprojmë për të parandaluar këtë rrethim detar”, tha Hanegbi për Channel 12 të Izraelit.

Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen janë një organizatë politike dhe ushtarake shiite që kanë luftuar një luftë civile kundër një koalicioni të mbështetur nga Arabia Saudite që nga viti 2014, ndërsa pas sulmit të Hamasit në 7 tetor ka pasur një rritje në aktivitetet e tyre detare.

Luftanijet amerikane tashmë kanë mbrojtur anijet në rajon. Javën e kaluar një anije luftarake amerikane rrëzoi në Detin e Kuq jugor shumë dronë që erdhën nga zonat e kontrolluara nga Houthi në Jemen.

Një nga incidentet ndodhi gjatë një serie sulmesh mbi tre anije tregtare. Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë thënë se po shqyrtojnë forcimin e mbrojtjes për anijet tregtare që kalojnë në korridorin jetik të Detit të Kuq.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë diskutuar mënyrat për të rritur sigurinë në zonë me anëtarët e Forcave të Kombinuara Detare, një task-forcë shumëkombëshe e ngarkuar me mbrojtjen e anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë publikisht se diskutimet janë përqendruar në mundësinë e shoqërimit të anijeve që operojnë në Detin e Kuq dhe përmes ngushticës Bab-el-Mandeb në Gjirin e Adenit, kanali i ngushtë që ndan Jemenin dhe Bririn e Afrikës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco