Ministri i Emigracionit dha dorëheqjen, Rishi Sunak mbron marrëveshjen e re me Ruandën për refugjatët

Ministri i Emigracionit dha dorëheqjen, Rishi Sunak mbron marrëveshjen e re me Ruandën për refugjatët

13:40, 07/12/2023
A+ Aa A-

Mbretëri e Bashkuar - Kryeministri Rishi Sunak, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku shpjegoi marrëveshjen e re me Ruandën për zhvendosjen e emigrantëve, pas vendimit të Gjykatës Supreme e cila rrëzoi marrëveshjen e parë, me argumentin se Ruanda nuk është një vend i sigurt.

Sunak, i cili gjendet nën presion nga brenda partisë Konservatore, tha se projektligji i ri është më i rrepti ndonjëherë në fushën e emigracionit.

Përveç ligjit të ri, qeveria ka nënshkruar një traktat të ri me Ruandën duke shpallur se është një vend i sigurt.

Ditën e djeshme, Ministri i Emigracionit, Robert Jenrick, dha dorëheqjen duke deklaruar se ligji nuk është mjaftueshëm i rreptë. Ai u mbështet nga ish Ministrja e Brendshme, tashmë e shkarkuar nga Sunak, Suella Braverman.

Marrëveshja e re me Ruandën, parashikon që emigrantët e paligjshëm dhe azilkërkuesit të dërgohen drejt vendit afrikan për t'u procesuar.

Sipas kryeministrit Sunak, projektligji i ri zgjidh ato probleme të konstatuara nga Gjykata Supreme dhe do të shërbejë si frenues i emigracioni. Sunak e krahasoi ndikimin që ky ligj do të ketë, me marrëveshjen e bërë me Shqipërinë, e cila sipas tij, i ka ulur kalimet e paligjshme me gomone të shtetasve shqiptarë drejt Britanisë, me 90%.

Megjithatë kryeministri pranoi se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ende do të ketë mundësi të sfidojë deportimet.

Britania po vijon të ashpërsojë ligjet kundër emigracionit, në përpjekje për të ulur valën e emigrimit drejt ishullit. Së fundmi, qeveria prezantoi ndryshime në vizat e punës dhe bashkimet familjare, duke rritur ndjeshëm kërkesën për të ardhurat që duhet të posedojnë aplikantët, për të siguruar vizat dhe lejet e qëndrimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco