VOA/ Shkup, diskutime mbi planin e BE-së për rritjen ekonomike të rajonit

VOA/ Shkup, diskutime mbi planin e BE-së për rritjen ekonomike të rajonit

20:51, 17/11/2023
A+ Aa A-

Në Shkup u mbajt takimi i parë i ministrave të ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me Planin e Rritjes Ekonomike të BE-së. Plani parashikon një ndihmë prej 6 miliardë eurosh që Blloku do ta ndajë për këto vende, por për këtë duhen bërë reforma

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të realizojnë reformat e nevojshme që i kërkon Bashkimi Evropian në mënyrë që të përfitojnë nga fondi i përbashkët prej 6 miliardë euro i Bllokut.

Ende nuk dihet se sa do të jetë shuma për secilin vend dhe kjo varet nga madhësia e shtetit, nga Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe nga kushte të tjera që kanë të bëjnë me reformat.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim në Komiosionin Evropian, Gert Jan Koopman tha në një konferencë shtypi pas takimit me ministrat e rajonit, se Plani i Rritjes ekonomike synon dyfshimin e ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor:

“Për momentin paga mesatare vjetore në rajon është 6 mijë euro për person dhe brenda dhjetë vjetësh kjo do të jetë 12 mijë euro për person. Kjo bëhet përmes tre gjërave: duke hequr barrierat dhe duke integruar shtetet e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian, që është më i madhi në botë, duke ndihmuar integrimin e tregjeve ndërmjet vetë shteteve të Ballkanit; me realizimin e reformave dhe investimeve. Për këtë do të ketë mbështetje prej 6 miliardë eurosh nga fondet e BE-së”, tha zoti Kopman, duke nënvizuar se ka parë sot në takimin e Shkupit një energji që premton se kjo mund të bëhet realitet.

“Vendet e rajont kanë ende punë për të bërë”, theksoi zyrtari evropian.

Javën që vjen do të ketë një takim në Bruksel me qeveritë e këtyre vendeve lidhur me Planin për Rritjen ekomomike.

“Plani do të ofrojë një përshpejtim të rritjes ekonomike të dyfishuar për dhjetë vitet e ardhshme për të gjithë rajonin, por edhe më tepër se kjo, do të mundësojë përshpejtimin e integrimit të rajonit në BE dhe sjelljen e vlerave të BE-së në atë që ka parime, sa i përket bashkëpunimit në rajon, integrimit në tregun evropian dhe reformat fundamentale”, tha Fatmir Besimi, Ministër i Financave në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Fondin prej gjashtë miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor e paralajmëroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë vizitës së para dy javëve në Shkup, si shenjë e angazhimit dhe përkushtimit të Bllokut për integrimin e rajonit në BE./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco