‘Të gjitha njësitë thelbësore kanë kolapsuar’/ Drejtori përshkruan situatën katastrofike në spitalin më të madh të Gazës

‘Të gjitha njësitë thelbësore kanë kolapsuar’/ Drejtori përshkruan situatën katastrofike në spitalin më të madh të Gazës

16:58, 13/11/2023
A+ Aa A-

Kushtet brenda spitalit al-Shifa janë “katastrofike” pasi njësitë thelbësore kanë kollapsuar, ka thënë për CNN drejtori i spitalit, Mohammad Abu Salmiya.

Sipas mediumit në fjalë, përcjell Telegrafi, rreth 7,000 njerëz aktualisht janë strehuar në spital, së bashku me 1,500 pacientë dhe personel mjekësor, tha Abu Salmiya.

Spitali i ka kërkuar ushtrisë izraelite 600 litra karburant çdo orë për të furnizuar gjeneratorët e tij, por ushtria ende nuk është përgjigjur, shtoi ai.

Në anën tjetër, të dielën, ushtria izraelite tha se kishte vënë 300 litra karburant në hyrje të kompleksit spitalor, por pretendoi se Hamasi kishte bllokuar spitalin që ta merrte atë.

Dhe Abu Salmiya i tha Al Araby TV se stafi kishte qenë shumë i frikësuar për të dalë për ta marrë atë.

“Ne i thamë ushtrisë izraelite se 300 litra karburant që ata ofruan nuk mjaftojnë as për 30 minuta”.

“Nuk ka më ujë, ushqim, qumësht për fëmijët dhe foshnjat.. situata në spital është katastrofike”, tha Abu Salmiya.

Spitali Al-Shifa është nën menaxhim të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi.

Izraeli pretendon se Hamasi e ka selinë e tij poshtë ndërtesës së spitalit por mjekët e spitalit dhe Hamasi e kanë mohuar këtë pretendim.

CNN thotë se ka biseduar edhe me një gazetar të rrjetit Al Arabiya, Khader al Zaanoun, i cili ndodhet brenda spitalit.

“Komunikimi është shumë i keq dhe pothuajse i pamundur për ne që të raportojmë se çfarë po ndodh në spital dhe oborret e tij, ne mezi kemi linja celulare, por nuk kemi internet”, citohet të ketë thënë ai.

 “Askush nuk mund të lëvizë ose të guxojë të dalë nga spitali, stafi këtu është i vetëdijshëm për shumë sulme që po ndodhin rreth spitalit, ne shohim tym që del nga ato sulme dhe ne e dimë se ka njerëz në disa prej atyre ndërtesave, por autoambulancat nuk dalin nga spitali sepse… ditët e fundit një ambulancë u godit duke dalë nga spitali”.

Ndryshe, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë thënë ditët e fundit se po zhvillohen luftime intensive në zonën përreth spitalit al-Shifa.

Dhe të dielën tha se kishte një korridor në lindje të spitalit që mund të përdorej nga njerëzit në këmbë dhe ambulancat.

Por është e paqartë se sa nga mijëra njerëz të zhvendosur në kompleksin e spitalit kanë qenë në gjendje të përdorin atë korridor për t’u larguar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco