Rrëfime nga mjekët në Gaza: Pa drita, pa shtretër, pa barna...

Rrëfime nga mjekët në Gaza: Pa drita, pa shtretër, pa barna...

17:21, 29/10/2023
A+ Aa A-

Sistemi i kujdesit shëndetësor në Gazë është duke u shembur. Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se një e treta e spitaleve dhe gati dy të tretat e klinikave të kujdesit parësor atje, tashmë janë mbyllur, për shkak të dëmeve nga lufta ose mungesës së karburanteve.

Pas sulmeve të militantëve të Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka mbyllur dy pikat e tij kufitare me Gazën dhe e ka vendosur atë nën rrethim të plotë, duke i bllokuar furnizimet me karburante, energji elektrike dhe ujë.

Kjo i ka detyruar spitalet në të gjithë Gazën, e cila varet nga Izraeli për rreth dy të tretat e energjisë elektrike, të mbështeten në rezervat e tyre me karburante.

Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila, ka bërë thirrje për presion të shtuar mbi Izraelin për të lejuar hyrjen e karburanteve, barnave, ushqimit dhe ujit të pijshëm në Gazë. Në të kundërtën, ka thënë ajo, mijëra pacientë janë në rrezik të vdesin.

“Mjekët në shumë spitale në Rripin e Gazës duhet të kryejnë operacione urgjente në korridore, duke përdorur dritën e celularëve të tyre. Ky është skenari më i keq i mundshëm për punonjësit mjekësorë”, ka thënë al-Kaila.

Izraeli i ka bllokuar dërgesat e reja të karburanteve në Gazë, duke thënë se ato mund të vidhen dhe shfrytëzohen nga Hamasi për qëllime ushtarake. Ai, po ashtu, e ka akuzuar Hamasin se ka grumbulluar qindra mijëra litra naftë dhe se refuzon t’i ndajë ato.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të dyja palëve për armëpushim të menjëhershëm, që do të mundësonte dërgimin e sigurt të furnizimeve shëndetësore dhe të tjera në spitale, ku çdo ditë trajtohet numër i madh i të plagosurve nga sulmet izraelite.

Në fillim të kësaj jave, OBSH-ja ka thënë se ka dërguar disa barna dhe furnizime të tjera në katër spitale në Gazën jugore, por se nevojat janë shumë më të mëdha. Spitalet e mbështetura prej saj, po i përdorin gjeneratorët minimalisht - vetëm për operacionet që shpëtojnë jetë, ka thënë agjencia e OKB-së.

Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të bjerë në kontakt me ndonjë mjek apo punonjës tjetër spitalor në Gazë, për të marrë informacione nga dora e parë. Por, REL-i ka biseduar me neurologun pediatrik, Omar Abdel-Mannan, nga Kolegji Universitar i Londrës, i cili është bashkëthemelues i grupit “Gaza Medic Voices”, apo “Zërat e Mjekëve të Gazës”.

Ky grup ka profile në të gjitha rrjetet sociale, ku publikon dëshmitë e mjekëve dhe infermierëve nga spitalet e Gazës.

“Kemi marrë shumë mesazhe me tekst, mesazhe me zë dhe fotografi nga mjekët dhe infermierët në Gazë. Kemi dashur t’iu mundësojmë që t’i tregojnë rrëfimet e tyre. Kemi ndjerë se është e rëndësishme që bota ta dëgjojë atë që ata shohin”, thotë Abdel-Mannan.

Ai është pjesë e një grupi më të madh, i njohur si Nisma e Mësimdhënies e Oksfordit, dhe ka vizituar Gazën çdo vit nga viti 2011.

Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai sjell dëshmitë e disa mjekëve që ka marrë nga vendi në luftë:

“Kemi parë video dhe kemi marrë fotografi dhe mesazhe se si funksionojnë duke përdorur dritat e telefonave celularë, për t’i ndriçuar pacientët ose mjekët, kur ata janë duke punuar. Atyre po u mbarojnë furnizimet bazë, si antibiotikët, qeset me kripë, produktet e gjakut, të cilat janë të vështira për t’u gjetur edhe në kohë më normale”./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco