Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë?

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë?

08:55, 20/05/2024
A+ Aa A-

Sllovaki/ Kryeministri i nënshtrohet një operacioni të katërt, pas atentatit

Image

Kryeministri Robert Fico ka bërë një tjetër operacion, i katërti në radhë, pas atentatit që iu bë në fillim të javës së shkuar. Lajmi për këtë ndërhyrje tjetër është komunikuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes në Sllovaki.

Robert Fico, 59 vjeç, u qëllua me armë zjarri nga një shkrimtar 71-vjeçar, i cili u arrestua menjëherë. Ndonëse u dyshua se ngjarja kishte motive politike, u tha gjithashtu se shkrimtari nuk i përkiste asnjë partie, por kishte marrë pjesë në disa protesta kundër qeverisë.

Biden thotë se i mbështet protestat pro Palestinës dhe se zëri i studentëve do të dëgjohet

Image

Joe Biden u shpreh në fjalimin e ceremonisë së diplomimit në Kolegjin Morehouse se i dëgjon zërat e studentëve që protestojnë për luftën që po ndodh në Gaza dhe pranoi se pamjet nga ky konflikt janë pikëlluese. “Mbështes protestat paqësore”, u tha ai studentëve, duke shtuar se zëri i tyre është dëgjuar dhe më pas, u shpreh se në Gazë po ndodh një krizë humanitare.

Më parë, kur kolegji njoftoi se presidenti Joe Biden do të bënte një fjalim në ceremoninë e diplomimit, studentët pro-palestinezë kundërshtuan vendimin, pasi ata nuk mbështesin qëndrimin e presidentit të vendit lidhur me luftën në Gaza.

Poloni/ Shtohet mbrojtja në kufi me Rusinë dhe Bjellorusinë

Image

Qeveria polake është duke investuar 2.5 miliardë dollarë për të rritur sigurinë dhe kapacitetet e mbrojtjes në kufi me dy shtetet: Rusi dhe Bjellorusi. Sipas Donald Tusk, kryeministrit polak, projekti i quajtur “Mburoja Lindore”, tanimë ka nisur dhe ka si qëllim të shtojë fortifikimet ushtarake.

Duke qenë se Polonia ndodhet në krahun lindor të NATO-s, sipas Tusk, kjo ia shton përgjegjësitë, pasi nuk mund të lejohet depërtimi i Rusisë apo Bjellorusisë në rajon. “Kemi vendosur të investojmë 2.5 miliardë dollarë për sigurinë tonë dhe mbi të gjitha për sigurinë në të gjithë kufirin lindor”, tha Tusk në një ceremoni ku festohej 80-vjetori i fitures së aleatëve kundër nazistëve.

Zvicër/ Një burrë sulmon me thikë kalimtarët

Image

Një burrë ende i paidentifikuar ka sulmuar me thikë disa njerëz në Zoffingen. Ai plagosi kalimtarët pa dallim, para se policia ta arrestonte. Viktimat u dërguan menjëherë në spital.

“Disa kalimtarë u plagosën në një sulm pa dallim me thikë në qytetin Zoffingen në veri të Zvicrës, rreth 50 kilometra në jug të Bazelit dhe kufirit gjerman”, tha policia lokale. Mendohet se burri fillimisht sulmoi një person në stacionin e trenit. Njerëzit u këshilluan të shmangnin zonën ku ndodhi krimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco