Misteri/ A ishte Irani pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit

Misteri/ A ishte Irani pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit

22:37, 10/10/2023
A+ Aa A-

Inkursioni tronditës i Hamasit në Izrael ishte i një përmasash dhe sofistikimi që më parë konsiderohej i paimagjinueshëm. Sulmuesit e Hamasit hynë nga toka, deti dhe ajri duke mposhtur mbrojtjen izraelite dhe duke vrarë më shumë se 900 njerëz, ushtarë dhe civilë. Niveli i planifikimit ka ngritur pyetje nëse mundej Hamasi ta bënte këtë i vetëm dhe nëse do të kishte pasur ndihmë, a i erdhi kjo nga Irani. Teherani, i cili ka përshëndetur operacionin ka mohuar përfshirjen. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara lëshoi një deklaratë duke e quajtur sulmin “të ashpër autonom dhe të palëkundur në linjë me interesat legjitime të popullit palestinez”.

Zv.këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA, Jon Finer përsëriti të hënën se Uashingtoni beson se Irani është “gjërësisht bashkëpunëtor” në sulmet e Hamasit në Izrael, por tha se SHBA nuk ka “informacion të drejtpërdrejtë” që i lidh këto sulme me Iranin në këtë moment.

“Ajo për të cilën mund të jemi mjaft të qartë është se Irani është gjerësisht bashkëpunëtor në këto sulme për mbështetjen e Hamasit prej dekadash” – tha Finer gjatë një paraqitjeje në “Good Morning America” të ABC. Ai foli për armë, trajnim dhe mbështetje të tjera financiare. “Ajo që ne nuk kemi është informacioni i drejtpërdrejtë që tregon përfshirjen iraniane në urdhërimin ose planifikimin e sulmeve që ndodhën gjatë 2 ditëve të fundit. Është diçka që ne do të vazhdojmë ta shohim nga afër” – tha ai.

Marrëdhënia e Iranit me Hamasin dhe partnerët e tij militantë palestinezë, Xhihadin Islamik është e dokumentuar. Xhihadi Islamik Palestinez, një grup militant me bazë në Gaza, i cili është më i vogël se Hamasi, por një forcë e rëndësishme luftarake në enklavën bregdetare ka një aleancë të gjatë dhe publike me Teheranin. Hamasi, nga ana tjetër, ka pasur një marrëdhënie më të paqartë me Iranin, duke u kthyer kundër tij për disa vite për shkak të mbështetjes së tij për presidentin diktator të Sirisë, Bashar al-Assad gjatë luftës civile këtë në vend. Në fund, edhe Hamasi u fut në orbitën e Teheranit dhe ka komunikuar hapur me Iranin dhe aleatët e tij paraushtarakë.

Izraeli thotë se Irani e mbështet Hamasin deri në 100 milionë dollarë në vit. Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2021 tha se grupi merr fonde, armë dhe trajnime nga Irani ndërsa disa fonde mblidhen në vendet arabe të Gjirit. Aleatët paraushtarakë të Iranit në rajon, siç është grupi i armatosur shiit i Libanit, Hezbollah, janë mburrur vazhdimisht për një koordinim të hekurt me grupet islamike palestineze. Shumica e botës perëndimore dhe disa vende arabe i konsiderojnë Hezbollahun, Hamasin dhe Xhihadin Islamik si grupe terroriste.

Kobi Michael, një studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare me bazë në Tel Aviv thotë se ai beson se Irani synon të krijojë “një realitet lufte në mënyrë që të lodhë shoqërinë izraelite si dhe Forcat e Mbrojtjes të Izraelit”. “Ky është emëruesi i përbashkët midis strategjisë së Iranit dhe asaj të Hamasit. Prandaj Irani është një pasuri për Hamasin dhe Hamasi është një pasuri për Iranin”, – thotë Michael. Pak më shumë se një muaj para sulmit të befasishëm, nënkryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Saleh Al-Arouri dhe shefi i Xhihadit Islamik Palestinez Ziad al-Nakhalah u fotografuan në Bejrut së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Image

Në prill, udhëheqësi i lartë politik i Hamasit, Ismail Haniyeh vizitoi kryeqytetin libanez për takime me Nasrallah. Se si Haniyeh, i cili ndodhet në Rripin e bllokuar të Gazës, ishte në gjendje të udhëtonte në Liban është ende e paqartë. Libani dhe Izraeli janë teknikisht në një gjendje lufte. Hezbollahu ka një bastion në jug të vendit që kufizohet me Izraelin. Në vitin 2006, një luftë shpërtheu midis dy vendeve që çoi në mbi 1100 të vdekur në Liban dhe mbi 200 të vdekur në Izrael.

Që atëherë, shkëmbimet e zjarrit midis palëve ndërluftuese kanë qenë jashtëzakonisht të rralla, me Hezbollahun që vazhdimisht kërcënon se do të godasë Izraelin me arsenalin e tij në rritje të raketave vetëm nëse Izraeli do të godiste territorin libanez. Megjithatë muajt e fundit, Nasrallah ka ndryshuar melodinë e tij, duke u zotuar se do të ndërhyjë në emër të palestinezëve në rast se trupat izraelite sulmojnë “vendet e shenjta të krishtera dhe myslimane në Jerusalem”. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli besojnë se Hezbollahu posedon raketa të sakta. Vitet e fundit, Nasrallah ka thënë se grupi i tij militant mund të thërrasë “100 mijë rezervistë” në një luftë të mundshme.

Një aleancë që po rritet

Hamasi dhe Irani nuk janë parë gjithmonë sy për sy. Lufta civile siriane e vuri Assadin dhe aleatët e tij, kryesisht anëtarë të pakicës alavite dhe degëve shiite të Islamit, kundër një lëvizjeje opozitare të përbërë kryesisht nga myslimanë sunitë, dega dominuese myslimane. Hamasi është një organizatë sunite, ndërsa i ashtuquajturi bosht i rezistencës i Iranit është kryesisht shiitë.

Përçarja vazhdoi për disa vite, por nisi të shuhej pasi Siria filloi të normalizonte marrëdhëniet me vendet e fuqishme arabe, si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Me tërheqjen e luftërave gati 10-vjeçare mes shive dhe sunitëve që përshkuan Irakun, Jemenin dhe Sirinë, forca elitare e Iranit, Garda Revolucionare e ka zhvendosur fokusin e saj në Izrael. Aleancat e Teheranit me aktorët islamikë palestinezë duket se janë një element qendror i strategjisë së Gardës Revolucionare, megjithëse detajet mbeten mister.

“Pyetja që bëjnë të gjithë është se çfarë roli luajti Irani? Ne nuk e dimë” – thotë Khaled Elgindy, bashkëpunëtor në Institutin e Lindjes së Mesme me bazë në Uashington ku drejton një program për Palestinën dhe çështjet izraelito-palestineze. “Irani ka qenë qartazi një mbështetës i Hamasit financiarisht, materialisht dhe politikisht. Por ne nuk e dimë shkallën në të cilën Irani ishte i përfshirë në pjesën operacionale logjistike të këtij trajnimi, apo çfarë lloj mbështetjeje logjistike ai ofroi operacionin e 7 tetorit. Unë nuk mendoj se dikush e di këtë. Çdo shërbim inteligjence u kap plotësisht i pavetëdijshëm për këtë, duke përfshirë dhe veçanërisht izraelitët”, – shtoi Elgindy.

Nëse Irani ishte i përfshirë apo jo në operacion mund të ketë pasoja për të ardhmen e luftës që filloi të shtunën. Nëse Irani dhe partnerët e tij paraushtarakë libanezë ndihmuan në sajimin e planit, atëherë kjo mund të zgjerojë konfliktin. Megjithatë, është e qartë se boshti militant palestinezo-iranian është forcuar dhe kjo mund të jetë e mjaftueshme për të pasur avantazhin në rajon. Teksa lufta përparon në dhe rreth Gazës, Izraeli gjithashtu ka përforcuar trupat edhe në kufirin e tij verior, ku partneri më i fuqishëm i Iranit, Hezbollahu, mund të hyjë në këtë luftë me një efekt dramatik. ©CNN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco